RTSH 24 Live

Aktualitet

Kush janë 3 të vrarët në atentatin në Fushë- Krujë, Vata dhe Martinaj, emra të njohur për policinë

17/07/2022

Kush janë 3 të vrarët në atentatin në Fushë- Krujë, Vata dhe Martinaj, emra të njohur për policinë

Diklen Vata 30 vjeç, me precedent penal, për momentin, është i vetmi i identifikuar zyrtarisht nga policia, në lidhje atentantin në Fushë- Krujë, ku mbetën të vrarë 3 persona. 2 viktimat e tjera ende nuk janë identifikuar zyrtarisht nga policia, pasi janë djegur në mjetin që mori flakë, por burime policore bëjnë me dije se ata janë  Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj. Fakti që makina është bërë shkrumb, e ka bërë të vështirë për momentin edhe identifikimin e 2 të vrarëve të tjerë në atentatin në Fushë-Krujë. Përveç të dhënave të tjera pritet që për identifikimin zyrtarisht të kufomave të përdoret edhe ADN-ja.

Gjithësesi, kanë filluar të dalin edhe të dhënat e para, në lidhje me personat të cilët mbetën të vrarë në këtë atentat. Brilant Martinaj, mësohet se është kushëriri i një personazhi tjetër të njohur i botës së krimit, Ervis Martinaj. Ai ka qenë i dyshuar për vrasjen e Xhulio Prelës, në vitin 2020.

Ndërsa për 30-vjeçarin, Diklen Vata, të dhënat janë më zyrtarer. Ai rezulton se është arrestuar në vitin 2017 për trafik droge.Vata është arrestuar nga shërbimet e policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë në shtator të 2017, si i dyshuar për shpërndarje kokaine. Pas një kontrolli fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në vendin e quajtur zona e shkollës “Bajram Curri”, Vatës i’u gjet e fshehur në çorape një mbështjellëse me lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, si dhe 3 mbështjellëse të tjera të fshehura në çelësat e makinës. Ndërsa për Besmir Hoxhën nuk ka ende të dhëna, lidhur me të shkuarën e tij.

/rtsh.al/