RTSH 24 Live

Aktualitet

Në Europë trafikoi kokainë, në Shkodër e Velipojë ngriti biznese. Nëntë vite burg për Jetmir Kastratin

21/03/2023

Në Europë trafikoi kokainë, në Shkodër e Velipojë ngriti biznese. Nëntë vite burg për Jetmir Kastratin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë dënoi me 9 vite burg Jetmir Kastranin, i cili për shtatë vite rresht (2012 - 2019)  në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, trafikoi sasi shumë të mëdha kokaine në shtetet e Europës dhe të ardhurat i investonte në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Vendimi u dha më 20 mars 2023. GjKKO pranoi kërkesën e prokurorisë dhe deklaroi fajtor Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasnici) për kryerjen e veprave penale

“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim të posaçëm, në formën e të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, 

Jetmir Kastrati u dënua me 13 vjet e 6 muaj burgim por për shkak të gjykimit të shkurtuar në aplikim të nenit 406 të Kodit të Proçedurës Penale, pas uljes së 1/3 të masës së dënimit, i pandehuri është dënuar përfundimisht 9 vjet burgim, dënim të cilin duhet ta vuajë në burg të sigurisë së lartë.

Lumë kokaine drejt shteteve të Europës

Nga dosja hetimore Jetmir Kastrati nga  viti 2012 deri në Qershor 2019 në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka trafikuar sasi shumë të mëdha kokaine në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga shitja e të cilës ka siguruar të ardhura me origjinë kriminale.

”Këto të ardhura pas vitit 2012 janë shndërruar në pasuri të ndryshme të luajtshme dhe paluajtshme në Shqipëri, duke bërë në këtë mënyrë pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale, nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme në zonën e Velipojës dhe qytetin e Shkodrës, si dhe aktivitete ekonomike në qytetin e Shkodrës, siç ishte një biznes pulari me emrin tregtar “RENS 2015”, pasuri apo aktivitete ekonomike këto të regjistruara në emër të të afërmëve të të pandehurit, si dhe të konfiskuara më parë në kuadër të zbatimit të Ligji nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për  Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të  Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, të ndryshuar” informoi sot SPAK

SPAK shton se për zbulimin e aktivitetit kriminal, hetimin dhe gjykimin e këtij të pandehuri kanë ndihmuar edhe autoritetet e drejtësisë së Danimarkës dhe Norvegjisë.

/rtsh.al/