RTSH 24 Live

Aktualitet

Ndërtonin në mënyrë të paligjshme në plazhin e Gjipesë, prangoset një person, shpallen në kërkim 3 të tjerë

25/04/2024

Ndërtonin në mënyrë të paligjshme në plazhin e Gjipesë, prangoset një person, shpallen në kërkim 3 të tjerë

Në prag të sezonit turistik, në jo pak vende bregdetare janë konstatuar punime për ndërtime pa leje. Një rast të tillë policia ka konstatuar edhe në Gjipe, Himarë, që është një nga plazhet më të bukura dhe më të vizitueshme për turizmin e aventurës.

Policia në Dhërmi (Vlorë) bëri të ditur se ka vënë në pranga një 52-vjeçar nga Tirana, i cili po ndërtonte në mënyrë të paligjshme në plazhin e Gjipesë. Po për këtë vepër penale janë shpallur në kërkim edhe 3 shtetas të tjerë.

“Si rezultat i kontrolleve që po kryhen 24/7, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe në ato bregdetare, shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, të mbështetura nga informacionet e inteligjencës policore, evidentuan 4 raste të kësaj paligjshmërie, në plazhin e Gjipesë.”, thuhet në njoftim.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u arrestua në flagrancë shtetasi G. S, 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Ll. Sh., 63 vjeç, B. Sh., 52 vjeç dhe A. Z., 65 vjeç, të tre banues në Himarë.

“Këta shtetas po ndërtonin secili nga një strukturë druri (beach-bar), pa lejen e organeve kompetente, në plazhin e Gjipesë, për qëllime përfitimi. Vijojnë kontrollet dhe verifikimet për të konstatuar dhe goditur raste të tjera të ndërtimeve të paligjshme, si dhe të krimeve të tjera kundër mjedisit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.”, përfundon njoftimi i policisë.

/rtsh.al/