RTSH 24 Live

Muzikë

Ndahet nga jeta Gjergji Peleshi, serenatisti i papërsëritshëm i qytetit të Korçës

11/09/2024

Ndahet nga jeta Gjergji Peleshi, serenatisti i papërsëritshëm i qytetit të Korçës

Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare këngëtari i pasionuar i serenatës Gjergji Peleshi.

Ai ishte nga të fundit serenatistë të papërsëritshëm të qytetit të Korçës. Një gjeneratë që shuhet për të lënë pas kaq shumë kujtime, vargje, melodi, këshilla e vlera njerëzore.

Gjergji Peleshi ishte një njeri i bukur, i jashtëzakonshëm në të zakonshmen e tij. Edhe kur fjalët iu mbaruan, fliste me këngë, edhe kur zëri iu venit ai këndonte me shpirt.

Serenatat ishin të fundit që mbante mend, si për të na lënë amanetin që serenatat nuk janë për t’u harruar, por për t’u trashëguar brez pas brezi si mesazhe të palcës sonë identitare. 

"Gjergji Peleshi ka qenë pjesëtar i koreve të lira që në fillimet e rinisë së tij, kur ai ishte pjesëtari kryesor i një grupi këngëtarësh të zonës ku ai banonte, sepse kështu ishin Peleshët, një familje muzikantësh. Gjergji tregoi gjithë kohën talent dhe aftësi, i rritur jo vetëm nga pasioni," deklaroi Pandi Bello, muzikolog dhe dirigjent i korit "Lyra".

Gjatë gjithë jetës Gjergji Peleshi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën artistike të qytetit dhe ikja e tij është një humbje për qytetarinë korçare, korin "Lyra", si dhe për artdashësit që gjatë gjithë jetës duartrokitën zërin e tij të rrallë.

/rtsh.al/