RTSH 24 Live

Ekonomi

Nafta pa taksa për bujqësinë, AZHBR: Deri tani, 19.412 fermerë përfitues

05/06/2023

Nafta pa taksa për bujqësinë, AZHBR: Deri tani, 19.412 fermerë përfitues

Në Shqipëri vijon shpërndarja e kartave të naftës pa taksa për fermerët në të gjithë vendin, sipas Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2023.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se deri më tani janë 19,412 fermerë përfitues.

Sipas saj deri tani janë shpërndarë 4,138,198 litrash naftë.  

Nëpërmjet kësaj mase, e cila ka për qëllim uljen e kostove, fermerët përfitojnë mesatarisht 70-100 L naftë falas për çdo hektar tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore.

Sasisa e naftës është përdorur për mbjelljen e 72 mijë hektarëve me kultura të ndryshme bujqësore.

Skema e mbështetjes për naftë falas vijon për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.

Buxheti adresuar kësaj skeme ka ardhur në rritje, teksa është rritur edhe interesi i fermerëve për të përfituar nga kjo masë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, këtë vit numri i aplikantëve në skemën e naftës pa taksa për bujqësinë është rritur në 50 mijë nga 20 mijë aplikantë që ishin një vit më parë. 

Ekspertët e vlerësojnë skemën e naftës si mbështetjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë fermerëve nëpërmjet skemës kombëtare.

Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë dhe naftës falas nisën më 20 Mars dhe përfunduan më 11 prill.

Autoritetet po vijojnë me shpejtësi procesin e verifikimit në terren dhe shpërndarjen e kartave për naftës pa taksa për fermerët.

Këtë vit mbështetja për fermerët u zgjerua në  9 masave, nga 5 masa mbështetëse që u zbatuan në 2022.

 

/ rtsh. al /