Qeveria shqiptare ka miratuar të premten projektligjin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale Ogerta Manastirliu, njoftoi se do të krijohet një Agjenci e re Kombëtare për kontrollin e kanabisit.
Sipas Ministres, janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve sipas disa kritereve të caktuara.
"Qeveria ka miratuar projektligjin për kanabisin, për qëllime mjekësore dhe industriale. Ky projektligj përcakton kuadrin rregullator për mënyrën pse si do iniciohet procesi. Qëllimi është rregullimi dhe granatimi i procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së prodhimin, përpunimit. Aspekte kryesore, lidhen me aspekte rregullatorë që i përkasin nga momenti i kultivimit dhe eksporti i sigurt dhe i kontrolluar. Krijohet Agjencia kombëtare për kontrollin e kanabisit. Janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve me kritere të përcaktuara dhe konsultuara dhe mirë oganizuara. ", tha Manastirliu.
Kujtojmë se Qeveria e hodhi për konsultim publik projektligjin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, që ishte edhe një nga nismat më të debatuara. Sipas rezultatit të këtij pyetësori, ishin 308 mijë qytetarë që votuan pro, kundrejt 148 mijë që votuan kundër.
Kjo nismë parashikon rregullimin dhe kontrollin e kultivimit, përpunimit dhe eksportimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, të destinuar për qëllime mjekësore dhe industriale.
/rtsh.al/