RTSH 24 Live

Kosovë

Ministrja Gërvalla kërkon ndërrimin e strategjisë së Evropës ndaj Serbisë

26/05/2024

Ministrja Gërvalla kërkon ndërrimin e strategjisë së Evropës ndaj Serbisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një tryezë diskutimi në Institutin "Hudson" në Uashington, potencoi se Serbia është kthyer në kërcënim për rajonin.

Sipas komunikatës së MPJD-së, Gërvalla ka thënë se Kosova e Bosnja-Hercegovina po kërcënohen nga ky shtet.

“Si aleate, madje edhe satelit i Rusisë, ajo jo vetëm që sulmon shtetet fqinje, siç ishte rasti me 24 shtatorin e vitit të kaluar në Kosovë, por edhe i garanton Rusisë, Kinës dhe tashmë edhe Iranit hapësirë të mjaftueshme për të vepruar në Evropë nga thellësia e Ballkanit Perëndimor”, tha Ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e ndërrimit të strategjisë së demokracive perëndimore në raport me Serbinë si kundërshtaren më të fuqishme të vlerave Perëndimore dhe demokratike në Evropë dhe domosdoshmërinë e konfrontimit të Serbisë me rrezikun që paraqet për rajonin, por edhe për paqen në Evropë.

Ndër të tjera në këtë takim të quajtur  "Synime dhe shqetësime Rajonale", Gërvalla theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për vlerat demokratike dhe vullnetin e palëkundur për anëtarësim në NATO dhe BE. 

/rtsh.al/