Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se pas sulmit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, pozicioni i Serbisë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është “më i komplikuar”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Një numër jo i vogël i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare filloi të dielën me narrativën se në Serbi ka terroristë, se Serbia është sponsorizuese e terrorizmit, se duhet të sanksionohet, të dënohet”, tha Vuçeviq për Radio Televizionin e Serbisë.
Ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se Serbia nuk ka asnjë lidhje me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe tha se ajo që ka ndodhur saktësisht, “nuk është përcaktuar ende”.
“Shoh se shumë njerëz në Serbi po nxjerrin përfundime të shpejta se si dhe çfarë ka ndodhur të dielën në Banjskë”, tha Vuçeviq, duke shtuar se që nga viti 1999, “Serbia nuk ka pasur autoritet de fakto” në Kosovë.
“Kjo e bën shumë më të vështirë për ne dhe për autoritetet tona që t’i mbledhin të gjitha faktet”, tha ministri serb i Mbrojtjes.
Policia e Kosovës tha të martën se ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, ku, më 24 shtator, një grup i personave të maskuar dhe të armatosur sulmoi policinë kosovare.
Një polic i Kosovës mbeti i vrarë dhe disa u plagosën.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, policia e Kosovës vrau tre sulmues të nacionalitetit serb.
Tetë sulmues u arrestuan dhe u akuzuan për terrorizëm, veprim kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Në zonën përreth Banjskës, policia e Kosovës gjeti më pas edhe arsenal të madh armësh të kalibrave të ndryshëm.
Më 26 shtator, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video, ku tha se në mesin e personave të armatosur, që u përleshën me policinë e Kosovës, ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë të SHBA-së, për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar, ndërsa autoritetet e Kosovës e lidhin edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikan opozitar serb në Kosovë.
Autoritetet kosovare kanë lëshuar fletarrestim për të, për “kanosje të dëshmitarëve” në rastin “Brezovica”, i cili ka të bëjë me korrupsion dhe ndërtime pa leje.
Sveçla tha se çdo ditë konstatohet se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përmes Listës Serbe dhe nënkryetarit të kësaj partie, Millan Radoiçiq, “ka ndërmarrë një aksion terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Bashkësia ndërkombëtare e dënoi sulmin ndaj policisë së Kosovës, duke kërkuar që të sqarohen të gjitha rrethanat e tij dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
( Sipas Radio Evropa e Lirë )