RTSH 24 Live

Ekonomi

Minimumi jetik 200 euro i propozuar nga opozita, Malaj: I paplotë, nuk ka analizë të detajuar!

7 orë para

Minimumi jetik 200 euro i propozuar nga opozita, Malaj: I paplotë, nuk ka analizë të detajuar!

Ministri i Financave, Petrit Malaj hodhi poshtë si të paplotë një propozim të opozitës për caktimin e një minimumi jetik në vlerën 200 euro. 

Duke iu përgjigjur interesit të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për propozimin për minimumin jetik në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, ministri Malaj tha se “propozimi i bërë është i paplotë". "Nuk ka një analizë të detajuar për sa i përket përcaktimit të minimumit jetik, pra, pse ajo vlerë dhe jo një vlerë më e madhe” tha ai.

Deputetja Tabaku tha se “ka një propozim ligjor për minimumin jetik, i cili ka ardhur disa herë edhe kur është bërë prezantimi i projektbuxhetit. Ku ndodhemi me minimumin jetik dhe a ka ndonjë masë qeveria për pensionin minimal? Sa do të jetë pensioni minimal me këtë buxhet apo turi është vetëm çështje propagande meqenëse indeksimi i pensioneve nuk i kënaqi pensionistët?” pyeti ajo.

Deputeti i PS-së Erion Braçe i dha një drejtim tjetër debatit. “Nëse e bëjmë minimumin jetik 200 mijë lekë, a konsiderohet ndërhyrje në zgjedhje apo jo? Nëse ju nuk e konsideroni ndërhyrje në zgjedhje jemi në rregull, por nëse e konsideroni, është problem shumë i madh” tha ai.

Kreu i opozitës Sali Berisha ka deklaruar se nëse PD vjen në pushtet, minimumi jetik do të jetë 200 euro, paga minimale 500 euro, ndërsa pensionet do të dyfishohen. 

/ rtsh.al /