RTSH 24 Live

Politikë

Meta përkrah Berishën: Protesta e 6 dhjetorit do jetë në bulevard

29/11/2022

Meta përkrah Berishën: Protesta e 6 dhjetorit do jetë në bulevard

Protesta e Sali Berishës më 6 dhjetor, ditën e samitit të BE-Ballkanit Perëndimor në Tiranë, dhe mbajtjes së saj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër urdhrit të policisë dhe bashkisë së Tiranës, është mbështetur edhe nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Meta, aleati i Berishës, tha se është dakord që protesta të zhvillohet në bulevard dhe se kjo do të jetë një marshim paqësor për t’i dhënë mesazh BE-së për gjendjen në të cilën vendin ndodhet, por edhe mesazh falënderues ndaj liderëve europian për mbështetjen e vendit drejt integrimit.

"Siguria në Shqipëri është nën kërcënimin e mafias në pushtet dhe kurrsesi të qytetarëve të lirë. Së dyti nuk është protestë ndaj kryetarit të bashkisë, pasi bileta e tij është pa kthim më 14 maj, por është njoftuar manifestim pro europian që e gjithë Shqipëria dëshiron të japë mesazh mirënjohje për vendimin me rëndësi edhe gjeopolitik të BE, për të nxitur Shqipërinë dhe vendet e tjera që të ecin në rrugën e integrimit europian. Në Shqipëri nuk ka asgjë dhe s’duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se kushtetuta dhe mbi kushtetutën është populli europian i Shqipërisë. Dhjetori është muaji i demokracisë. Manifestim paqësor. Dhjetori është muaji i demokracisë dhe Europës", tha Meta gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve.

Më herët Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës kanë refuzuar kërkesën e Rithemelimit që protesta të zhvillohet para kryeministrisë me argumentin se cenohet siguria kombëtare.

/rtsh.al/