RTSH 24 Live

Politikë

Meta: 10 vite përjashtim nga tatimfitimi për ata që kthehen të investojnë në vend

25/07/2024

Meta: 10 vite përjashtim nga tatimfitimi për ata që kthehen të investojnë në vend

Partia e Lirisë mblodhi të enjten on- linë Komisionin për Diasporën. Gjatë mbledhjes së zhvilluar on-line, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se programi i forcës politike që ai drejton ka pesë pwrparwsi, një prej të cilëve është edhe diaspora.

Meta nënvizoi se “qëllimi është që vendit t’i shtohen 4 milionë shqiptarë, që janë larguar nga vendi për shkak të keqqeverisjes”.

“Dhe 4 milionë shqiptarë plus, nuk mund të realizohen, pa riintegrimin e shumicës së diasporës, që sot është larg vendit, por që mendjen, që zemrën, që shpirtin e kanë këtu”.

Meta premtoi krijimin e një ministrie për diasporën dhe politika fiskale lehtësuese për rikthimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Duhet të jemi të vëmendshëm për të mbrojtur vendin tonë në edukimin e fëmijëve tanë, si brenda vendit, ashtu dhe jashtë vendit. Roli i shtetit në këtë drejtim është thelbësor për të mundësuar ura komunikimi në fushën e arsimit me vendet ku shqiptarët jetojnë. Pa rolin e diasporës, s’do kishte kurrë një shtet të pavarur shqiptar. Roli i diasporës në Amerikë, roli i arbëreshëve, që ka qenë i padiskutueshëm, dhe që ruajti figurën e Skënderbeut me fanatizëm”, tha Meta.

Presidenti i Partisë së Lirisë u shpreh se diaspora ka në dorë fatet e vendit.

“Partia e Lirisë është e angazhuar që në qeverisjen e saj të ketë një ministri për diasporën, jo për të krijuar evente, por për të nxitur politika, ura komunikimi mes diasporës dhe shtetit shqiptarë me qëllim që ata të rikthehen dhe të investojnë në Shqipëri. Po ashtu do të krijohet zyra për diasporën në çdo ambasadë për krijimin e evenimenteve kulturore, për të ofruar mbrojtje ligjore, trajnime për riintegrimn e diasporës në vendin tonë përmes lehtësirave që do krijojmë me politikat që do të ndërmerren”, tha Meta.

Duke iu referuar lehtësirave fiskale, Meta tha se, “për ata që duan të rikthehen, do bëjmë gjithçka për koordinimin institucional për lehtësimin e riintegrimit të tyre, arsimimin, dhe të gjitha elementët e tjerë. Garanci fiskale për sipërmarrësit që rikthehen. Do ketë përjashtim deri në 10 vite për tatimin mbi fitimin. Rama po i bën përjashtime Alabarit tek porti i Durrësit, ne s’po përjashtojmë shqiptarët që vijnë dhe investojnë kursimet e tyre këtu”, nënvizoi Meta.

Meta tha se diaspora do të ketë kuotat e përfaqësimit të saj në të hallkat drejtuese të Partisë së Lirisë.

“20% nga diaspora në krysinë e Partisë së Lirisë. Në listat për deputetë, 20% përfaqësues nga diaspora”, tha Meta.

/rtsh.al/