Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar për operacionin e zhvilluar të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me policinë italiane ku u arrestuan eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit si edhe prokurorë të implikuar me krimin.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Balla shkruan se ky operacion është pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin dhe për ta çuar në një nivel tjetër sundimin e ligjit.
Gjithashtu Balla ka përgëzuar drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.
“Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit”, shkruan Balla.
Më herët, Policia e Shtetit dhe ajo italiane kanë zhvilluar një operacion të përbashkët, duke çuar në pranga prokurorë e biznesmenë.
Bëhet me dije se aksioni policor është shtrirë në disa qytete të vendit, ndërsa deri më tani është konfirmuar arrestimi i drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-kreu i Forcave Operacionale, Olti Bistri.
Nuk dihen arsyet e arrrestimit të tyre dhe se për çfarë akozohen, teksa Policia shqiptare dhe ajo italiane pritet të japin një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 10:00, ku do të bëhen me dije më shumë detaje rreth këtij operacioni.
/rtsh.al/