RTSH 24 Live

Greqi

Mediat greke: Fredi Belerit i jepet leje, shkon për betim në Strasburg

12/07/2024

Mediat greke: Fredi Belerit i jepet leje, shkon për betim në Strasburg

Sipas medias greke, Fredi Belerit i jepet leja nga autoritetet shqiptare për t’u betuar si eurodeputet në Strasburg.

Cnn grek, Kathimerini apo ERT, konfirmojnë se Beleri do të fluturojë mëngjesin e së hënës drejt Athinës dhe më pas do të transferohet në Strasburg.

“Siç bëhet e ditur nga burime në zyrën e eurodeputetit të PD-së, Fredis Beleris, kërkesa për leje pesëditore e paraqitur nga Fredis Beleris është pranuar nga Drejtoria e Burgjeve Shqiptare” shkruan CNN grek.

Sipas tyre, të hënën, më 15 korrik, eurodeputeti do të niset nga Tirana për në El. Venizelos, ku do të mbërrijë në orën 12.30.

“Më pas ai do të shkojë në Strasburg, për të marrë detyrën si eurodeputet gjatë seancës plenare të hapjes së Parlamentit Evropian dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarët e Parlamentit Evropian dhe Komisionit”.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Athina i kërkoi zyrtarisht leje Tiranës që Fredi Beleri të shkonte në Strasburg për të marrë pjesë në seancën hapëse të parlamentit të ri europian në 16 Korrik.

Fredi Beleri hyri në zgjedhjet e Parlamentit Europian si kandidat për deputet, nën siglën e partisë greke Demokracia e Re.

Ishte kryeministri  grek Kyriakos Mitsotakis, ai që hodhi kandidaturën e tij.

Ish-kryebashkiaku i Himarës arriti që të fitoi 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen duke u bërë kështu eurodeputeti i parë që fiton zgjedhjet duke qenë në burg dhe pa bërë fushatë.

Si çdo eurodeputet tjetër, nga data 16 korrik deri në 19 korrik, Beleri duhet të jetë fizikisht në Bruksel për të kryer betimin.

Pas dënimit nga Apeli me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, disa ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Belerit mandatin e të zgjedhurit si kryetar bashkie në Himarë dhe më pas presidenti i Republikës shpalli zgjedhjet e pjesshme për kreun e kësaj bashkie në 4 gusht.

 

/rtsh.al/