Emergjencë në Volos, dhjetra tonë peshq të ngordhur kanë mbuluar bregdetin
Qyteti port i Volos në qendër të Greqisë ka shpallur gjendjen e emergjencës pasi ujërat detare pranë portit dhe ato të lumenjve janë mbushur me dhjetra tonë peshq të ngordhur, duke kërcënuar jetët e banorëve.
Ekspertët thonë se kjo situatë u shkaktua nga reshjet historike të vitit të shkuar të cilat përmbytën veriun e rafshnaltës të Thesalisë.
Ujërat mbushën në nivele ekstreme një liqen në atë zonë që ishte tharë në vitin 1962 për të luftuar malarjen.
Që atëherë niveli i ujit të liqenit ka rënë, çka ka detyruar peshqit e ujërave të ëmbla të notojnë drejt portit të Volosit që derdhet në gjirit Pagasitikos dhe detin Egje, ku nuk mund të mbijetojnë.
Sipas ekspertëve në grykën e lumit që të çon në Volos nuk ishte vendosur një rrjete dhe kur peshqit mbërritën në det, ngordhën për shkak të ujit të kripur.
Pranë portit të Volos, por edhe në qendër të gjirit Pagasitikos është krijuar një shtresë e argjendtë me mbetjet e peshqëve të ngordhur, çka ka shkaktuar edhe një erë të pardurueshme në qytet. Kryebashkiaku i Volosit fajësoi qeverinë se nuk kishte zgjidhur problemin. Sipas tij, përveç se kërcënojnë shëndetin publik në zonë, peshqit e kalbur mund të shkaktojnë edhe një fatkeqësi natyrore për specie të tjera.
Gazetare Elda Pepa
/ rtsh.al /