RTSH 24 Live

Ekonomi

Më 27 mars hapen aplikimet për fondet në bujqësi, 32 milionë euro në dispozicion

26/03/2024

Më 27 mars hapen aplikimet për fondet në bujqësi, 32 milionë euro në dispozicion

Nga data 27 Mars hapen aplikimet për përfitimin e fondeve në bujqësi përmes Skemës Kombëtare 2024.

Në dispozicion të fermerëve do të jenë 32 milionë euro, të cilat do të shkojnë për mbështetjen e tyre.

Në total janë 8 masa që do të financohen. Në to përfshihet mbështetja për tufën bazë të matrikuluar, lopë/ dele dhe dhi; mbarështimi i bletarisë; mbështetje për fara,fidanë dhe impute të tjera; mbështetje për kultivimin e bimëve aromatiko-mjekësore; mbështetje për fermat organike; certifikimi Global GAP; si dhe mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi.

Aplikimi nga fermerët bëhet përmes e a-Albania.

Kriteret kryesore që duhet të përmbushin aplikantët janë: Dokumenti që vërteton statusin e aplikantit (fermer, person fizik/juridik, SHBB;  të mos jenë debitorë ndaj Tatimeve; të kenë shlyer sigurimeve shoqërore si dhe nëse aplikojnë si individë, të arrijnë pragun e vendosur për mbështetje, pra të kenë jo më pak se 10 krerë/lopë; jo më pak se 100 krerë dele/dhi; Jo më pak se 50 zgjoje bletësh dhe për naftës jo me pak se 1 hektarë, etj

Sa i takon skemës së naftës, fermerët duhet të kenë tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; Sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 (një) ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha. Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet me vetëdeklarim. Paratë për skemën e naftës do të kalojnë direkt në llogaritë e fermerëve.

Këtë vit i është dhënë më shumë përparësi bashkimit të fermerëve, duke u mundësuar financim 100 për qind, ndërsa për aplikantët individualë do të ketë ndarje proporcionale të fondit të mbetur si dhe në një tavan të caktuar, mbështetja përgjysmohet.

/ rtsh.al /