Ka nisur me debate mbledhja e Këshillit të Sigurimit mes kryeministrit, Edi Rama dhe ambasadorit të Rusisë. Shkak është bërë tema e Ukrainës e zgjedhur nga Shqipëria si kryesuese e Këshillit të Sigurimit dhe prania si folës përpara Këshillit e presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski.
Menjëherë pas prezantimit të pjesëmarrësve dhe personave të ftuar për të folur nga ana e kreut të qeverisë shqiptare, ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasili Nebenzia kundërshtoi agjendën e paraqitur.
“Kemi dy pyetje. Mbi ç'bazë propozoni t’i jepni presidentit Zelenskit fjalën përpara anëtarëve të Këshillit të Sigurimit? Pyetja e dytë, me ç'bazë ftoni ju në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut në takimin e sotëm në cilësinë e kryetarit të OSB-së? Ne nuk besojmë se argumentet që na paraqitët janë bindëse. Doja të na shpjegoni pse i është dhënë përparësi presidentit të Ukrainës? Nëse e bëni këtë atëherë do përballeni me praktika shkelëse,“ tha ambasadori rus.
Sipas tij, anëtarët e KS-së i kanë dëgjuar fjalimet e Zelenskit nëpërmjet video-mesazheve.
"Këtu ka një shkelje flagrante të procedurave. Kjo shkelje ka rreziqe në KS, sepse rrezikon të kthehet në shfaqje. Kjo e sotmja do të jetë më shumë një spektakël. Ne nuk kundërshtojmë pjesëmarrjen e Zelenskit, por gjërat të bëhen sipas rregullave. Ato që nuk janë vende anëtare të flasin pas vendeve anëtare. Presidenca shqiptare ka treguar shkelje flagrante,” tha përfaqësuesi rus, duke e fajësuar kryesinë shqiptare të KS-së për ideologjike.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Rama.
"Mora shënim komentet e bëra nga delegacioni rus dhe në përgjigje do të doja të konfirmoja se të gjithë anëtarëve të Këshillit u është dëguar lista e personave që do të flasin në rendin e caktuar. Kjo çështje procedurore do duhej zgjidhur teknikisht para se të çelej debati. Duke pasur parasysh temën e debatit sot, ne besojmë se ftesa e Zelenskit për të folur është në përputhje me paragrafin 33. Dhënia e fjalës Zelenskit i jep mundësi anëtarëve t’u përgjigjen pyetjeve të tij. Ky s’është vendim i Presidencës shqiptare, por praktikë e gjatë e KS-së në përputhje të plotë me rregulloren. Pyetjen e dytë kam vështirësi ta kuptoj, sepse OSBE-ja ka një kontribut të madh dhe gjendemi këtu falë kontributit të saj. Po përfaqësuesi i OSBE-së është shqiptar, por nëse do ishit i qartë se cili është problemi më thoni. Më duhet të them se ardhur nga ju i gjithë ky leksion në këtë ndërtesë është një goditje mjaft mbresëlënëse. Shkelja këtu ka të bëjë me faktin që Zekenski do të flasë? Ju ndalni luftën dhe Zelenski nuk do të mbajë fjalën,“ ka deklaruar Rama.
Rama takim me Zelenskin
Pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, kryeministri Rama dhe presidenti ukrainas Zelenski, zhvilluan një takim më vete gjatë qëndrimit në Nju-Jork.
Lajmi u bë i ditur Zelenski, i cili falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë Ukrainës.
“I jam veçanërisht mirënjohës Shqipërisë për anëtarësimin në Deklaratën e G7-ës për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ne nënshkruam gjithashtu një deklaratë të përbashkët për të mbështetur integrimin e Ukrainës në NATO,” shkruan Zelenski.
/rtsh.al/