Transporti ajror, në tremujorin e dytë 2024, shënoi rritje me 64.7% duke regjistruar udhëtimin me linja ajrore të 2.879.158 pasagjerëve nga 1.747.887 pasagjerë që udhëtuan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT, për të njëjtën periudhë, volumi i mallrave të hyrë dhe të dalë (duke përfshirë postën) nëpërmjet transportit ajror rezultoi 560.8 ton, nga të cilat janë 74.2% mallra hyrëse dhe 25.8% mallëra dalëse. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluara, INSTAT raporton për rritje me 12.7%.
Sa i takon eksport/importit të mallrave me rrugë ajrore, në tremujorin e dytë në total volumi i mallrave të tregtuara shënoi 571 ton.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky tregues shënoi rritje me 47.8%. INSTAT raporton se volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e dytë të 2024 zë 0.02% ndaj volumit total.
Në transportin ajror operojnë 25 shoqëri, nga këto janë 24 shoqëri të huaja dhe një shqiptare. Në tremujorin e dytë të 2024, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 102.916 avionë, nga të cilët 81.9% të tyre e zë numri i mbikalimeve.
/ rtsh.al /