RTSH 24 Live

Aktualitet

Mbështetje për Policinë e Shtetit, Rrumbullaku me partnerët amerikanë dhe përfaqësues nga ICITAP

22/02/2024

Mbështetje për Policinë e Shtetit, Rrumbullaku me  partnerët amerikanë dhe përfaqësues nga ICITAP

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është takuar me drejtuesin e Zyrës Qendrore të Byrosë Kundër Terrorizmit, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe me përfaqësues të ICITAP-it. Në fokus të takimit ishte mbështetja e vazhdueshme dhe konkrete për Policinë e Shtetit nga partnerët amerikanë dhe ICITAP.

Ky takim kishte si objektiva kryesorë: analizimin e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet palëve, kryesisht kundër terrorizmit dhe krimeve kibernetike; evidentimin e nevojave burimore dhe logjistike që ka aktualisht Policia e Shtetit, specifikisht për këto 2 aspekte; konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet palëve, të ndërtuara ndër vite. Gjithashtu, vlerësoi kontributin e çmuar të partnerëve amerikanë, të konkretizuar nëpërmjet donacioneve dhe trajnimeve të vazhdueshme në favor të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit, kryesisht të atyre kundër terrorizmit dhe të atyre kundër krimeve kibernetike.

Më tej, Drejtori garantoi të pranishmit, për angazhimin maksimal të Policisë së Shtetit, për konsolidimin e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe për finalizimin e operacioneve me impakt ndërkombëtar.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Byrosë Kundër Terrorizmit, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ata të ICITAP-it vlerësuan profesionalizmin e strukturave të Policisë së Shtetit shqiptar dhe falënderuan z. Rrumbullaku, për mikpritjen.

/rtsh.al/