Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ndodhet në Strasburg, ku do të marrë pjesë në sesionin e 133-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Në fokus të këtij takimi do të jenë pikërisht sfidat me të cilat po përballen vlerat demokratike dhe sundimi i shtetit ligjor në Europë, mbështetja konkrete për Ukrainën dhe forcimi i qëndresës ndaj agresionit rus.
Takimi i Ministrave të Jashtëm të KiE-së është i pari pas Samitit të Katërt të KiE në Reikjavik në 16-17 maj 2023. Si i tillë, ai do të trajtojë çfarë pune është bërë gjatë një viti në përmbushje të detyrave të lëna nga ky Samit dhe do të përcaktojë hapat, objektivat dhe sfidat për në vijim.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, ministri Hasani ka zhvilluar një takim me stafin shqiptar në Këshillin e Evropës.
Sipas ministrit, bisedat u fokusuan në “nismat e ndërmarra në kuadër të promovimit të vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, që ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve profesionale të administratës dhe gjyqësorit në Shqipëri”.
Ministri Hasani shprehu mirënjohjen për të gjithë profesionistët shqiptarë që prej 3 dekadash kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe KiE.
/rtsh.al/