RTSH 24 Live

Politikë

Raport progresi i BE-së për Shqipërinë, Tabaku: Opozita rol të padiskutueshëm në procesin e integrimit

5 orë para

Raport progresi i BE-së për Shqipërinë, Tabaku: Opozita rol të padiskutueshëm në procesin e integrimit

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Gonzato i ka dorëzuar deputetes së Partisë Demokratike, njëheraz kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Jorida Tabaku, raportin e progresit të BE-së për Shqipërinë. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se me ambasadorin Gonzato diskutuan lidhur me raportin e progresit, i cili pasqyron gjithashtu shqetësimet reale të opozitës.

Duke iu referuar progresraportit, Tabaku ka renditur edhe disa nga shqetësimet e opozitës.

“Parlamenti ka dështuar të realizojë një reformë tërësisht gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nga çështja e ish-ministrit të Jashtëm deri te ligji për komisionet hetimore dhe rregullorja e Kuvendit, për të cilat janë penalizuar padrejtësisht deputetët e opozitës. Ligje që shkojnë kundër frymës së legjislacionit të BE-së, si ato për Prokurorinë Publike, zonat e mbrojtura, investimet strategjike dhe legjislacioni për kanabisin”, shkruan Tabaku.

Ndër të tjera, deputetja e PD-së nënvizon se “sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy çështje që kërkojnë vëmendje të veçantë”.

“Roli i padiskutueshëm i opozitës në procesin e integrimit, por edhe në hapësirën parlamentare për të ushtruar funksionet e saj të kontrollit dhe monitorimit, përfshirë të drejtën për komisione hetimore dhe të gjitha instrumentet e tjera parlamentare. Pavarësia e institucioneve të kontrollit financiar, si KLSH dhe BSH, dhe mbrojtja e tyre nga ndërhyrjet dhe presioni politik”, shkruan Tabaku.

Në përmbyllje të reagimit të saj, deputetja demokrate thekson se megjithëse në një klimë të tensionuar, opozita ka luajtur rolin e saj në procesin e integrimit. Ky proces, shkruan Tabaku, nuk mund të jetë ekskluzivisht i qeverisë, sepse është një proces kombëtar për Shqipërinë, dhe nuk mund të mbetet vetëm në letër.

/rtsh.al/