RTSH 24 Live

Aktualitet

Mashtrimi me mikrokreditë, Prokuroria e Tiranës zbardh skemën e përmbaruesve

23/05/2024

Mashtrimi me mikrokreditë, Prokuroria e Tiranës zbardh skemën e përmbaruesve

Është zbardhur skema e mashtrimit me mikrokreditë, e krijuar nga 3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, duke çuar në pranga 4 persona, 1 është shpallur në kërkim ndërsa për 4 të tjerë është caktuar “arrest shtëpie”.

Prokuroria e Tiranës bën me dije se hetimet erdhën pas kallëzimit të  Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Janë lënë në burg administratorët e shoqërive përmbarimore Star-FS, Alado Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato dhe përmbaruesi Arben Meskuti. Po ashtu është lënë në arrest shtëpie Elda Ibro, administratore e MCA, dhe përmbaruesit Alban Kote, Kejda Seferi dhe Jodisa Dervishi.  Në kërkim është shpallur Alketa Tanushi.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë u kishte hequr licensën për ushtrimin e detyrës si përmbarues gjyqësorë.

Sipas Prokurorisë, me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve, ata kanë krijuar skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja. Persona të ndryshëm, në kushtet e mirëbesimit, janë mashtruar për të marrë kredi të reja te institucionet financiare, për të likuiduar kredi të vjetra që ata kishin në banka, dhe këto kredi ishin blerë nga një institucion financiar. Me marrjen e një kredie të re nga ky institucion, zhbllokoheshin përkohësisht pasuritë dhe llogaritë e debitorëve, por më vonë dilte një kërkesë e re për likuidimin e shumave të tjera.  

Si funksiononte skema e mashtrimit

Nga hetimet rezulton se këto shoqëri morën nga një bankë e nivelit të dytë 3.999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja po pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol MCA. Me marrjen e një kredie të re zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575.842.669,60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258.687.709,07 leke.

Hetimet kanë zbuluar rastet konkrete për vendosjen e sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë edhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Prokuroria sjellë edhe një rast tipik, ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një personi.

/rtsh.al/