RTSH 24 Live

Kosovë

Masakra ndaj familjes Mirena, Kurti: Ende s’janë dënuar autorët. Drejtësia të zbardhë krimet serbe

21/04/2024

Masakra ndaj familjes Mirena, Kurti: Ende s’janë dënuar autorët. Drejtësia të zbardhë krimet serbe

Në përkujtim të 25-vjetorit të masakrës ndaj familjes Mirena ku u masakruan 16 burra dhe djem të familjes Mirena, pasi policia dhe paraushtarakët e Serbisë i ndanë nga familjarët e tyre, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se deri më sot nuk janë dënuar autorët.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti thekson se për herë të fundit ata u panë më 21 prill 1999, me duart e lidhura pas shpine, gjersa nën kërcënime e dhunë, ecnin drejt kamionit i cili po priste matanë shinave të trenit.

Familjet jetuan në ankthin e pritjes, pa ditur për fatin e tyre për shtatë vite. Në vitin 2006, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit (nga e cila u zhvarrosën gjithsej 744 shqiptarë të Kosovës). Hetimet për masakrën në Nakaradë i kishte filluar UNMIK-u në vitin 2000. Në vitin 2008, dosja i ishte dorëzuar EULEX-it, ndërsa në 2018 çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ende nuk janë dënuar autorët e as urdhërdhënësit e kësaj masakre”, shkruan Kurti.

Kurti, ka bërë thirrje që, sistemi i drejtësisë në Kosovë të veprojë për të sjellë drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Lavdi për martirët e Nakaradës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Natën e 21 prillit të vitit 1999, forcat serbe i ndanë nga familjarët e tyre 16 burra e djem të familjes Mirena për t’i ekzekutuar e masakruar. Ndërkaq, pas dy dekadash nga kjo masakër e urdhëruar nga shteti serb dhe e kryer nga ushtria e policia serbe, drejtësia ende nuk është vendosur në vend.

/rtsh.al/