RTSH 24 Live

Sociale

Masa për mbrojtjen nga zjarret - Në Finiq breza mbrojtëse në zonat e banuara

26/05/2024

Masa për mbrojtjen nga zjarret - Në Finiq breza mbrojtëse në zonat e banuara

Përvoja e hidhur e vitit të kaluar me vatrat e zjarrit në fshatrat  Livinë dhe Halio të Bashkisë së Finiqit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, kanë detyruar strukturat vendore që të hartojnë plane për krijimin e brezave mbrojtës, anti zjarr afër zonave të banuara.

Gjatë muajit të kaluar, ishte Drejtoria e Pyjeve , e cila relatoi pranë Këshillit të Bashkisë përsa i përket krijimit të brezave mbrojtës ne pyje dhe kullota. Gjithashtu, evidentohen iniciativa nga kryesitë e disa fshatrave për të krijuar breza apo zona mbrojtëse përreth shtëpive të banimit.

Kurse Trupat e Shërbimit Mbrojtës Kundër Zjarrit të Bashkisë së Finiqit ,tashmë , janë në gatishmëri për të përballuar një sezon vere me temperatura shumë të larta, sipas parashikimeve të meteorologëve.

 “Pjesa më e madhe e banorëve janë banorë të moshës të tretë. Sigurisht kryesore është të bëhet pastrimi rreth banesave dhe fshatit. Në bashkëpunim me bashkinë është e nevojshme të krijohet mundësia për të hyrë mjetet zjarrfikëse dhe për të izoluar zjarret”, tha Vangjel Kaçi, kryeinspektori i Shërbimit Zjarrfikës Finiq.

Njësia Vendore e Finiqit ,për nga sipërfaqja ,është bashkia e dytë më e madhe në Qarkun e Vlorës.

/RTSH/