RTSH 24 Live

Aktualitet

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin. I hap rrugë ratifikimit në Kuvend

19/02/2024

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin. I hap rrugë ratifikimit në Kuvend

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët. Zbardhja e këtij vendimi i hap rrugë ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, sipas së cilës do të ngrihet një kamp  në Gjadër të Shëngjinit, ku do të strehohen emigrantët, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.

Në përgjigje të kërkesës së një grupi deputetësh opozitarë, sipas të cilëve Protokolli mes dy vendeve ishte në shkelje të Kushtetues së vendit dhe Konventave për të drejtat e njeriut ku Shqipëria është palë, Gjykata Kushtetuese thekson në vendim se Protokolli për Migracionin është në pajtim me Kushtetutën, duke lejuar ratifikimin e tij nga Kuvendi.

Në kushtet kur Protokolli për Migracionin ofron mbrojtje të përforcuar juridiksionale dhe nuk sjell kufizim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Gjykata çmon se pretendimet e kërkuesit për cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të të huajve (migrantëve), që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, janë të pabazuara”, thuhet në vendim.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese çmon në vendim se negocimi dhe firmosja e marrëveshjes nga kryeministri Edi Rama është i rregullt. Sipas deputetëve të opozitës, Rama nuk ka kërkuar autorizim as për negocimin dhe as për nënshkrimin nga Presidenti, duke konsideruar këtë të fundit si autoritetin kompetent për të autorizuar lidhjen e marrëveshjeve të tilla. Por Gjykatat Kushtetuese, teksa përmend nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë nga të dyja palët, e konsideron atë si bazë të mjaftueshme që kjo marrëveshje të nënshkruhej nga Qeveria.

 “Traktati i Miqësisë përbën një marrëveshje ndërkombëtare që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës. Nisur nga përmbajtja e tij, duke qenë se, sikurse u theksua më sipër, me nënshkrimin e këtij Traktati palët kanë rënë dakord për rregullimin në nivel qeverish edhe të çështjeve të lidhura me lëvizjet migratore, Traktati i Miqësisë përbën një marrëveshje kuadër, e cila shërben si bazë e mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të nënshkruhej nga Qeveria. Pra, ai mund të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga ministri për Punët e Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit. Kjo do të thotë se procedurat e negocimit nga pala shqiptare janë zhvilluar rregullisht dhe në përputhje me parashikimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare”, theksohet në vendim.

Lidhur me pretendimet e deputetëve të opozitës për shkelje të të drejtave të njeriut, Gjykatat Kushtetuese thotë me vendimin e saj se Protokolli për Migracionin ofron mbrojtje juridiksionale, duke i konsideruar pretendimet e mësipërme si të pabazuara.

Në kushtet kur Protokolli për Migracionin ofron mbrojtje të përforcuar juridiksionale dhe nuk sjell kufizim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Gjykata çmon se, sipas arsyetimit të mësipërm, pretendimet e kërkuesit për cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të të huajve (migrantëve), që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, janë të pabazuara”, shkruhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese thekson se kjo marrëveshje nuk ndryshon territorin e Shqipërisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se kjo marrëveshje parashikon kalimin në përdorim të dy zonave, nga shteti shqiptar te autoritetet italiane, sërish këto zona janë pjesë integrale e territorit shqiptar.

Protokolli për Migracionin nuk ka parashikuar rregulla që passjellin efekte mbi tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë në favor të shtetit italian. Ai ka parashikuar kalimin në përdorim nga shteti shqiptar tek autoritetet shtetërore italiane të dy zonave, të cilat do të përdoren për të pritur dhe akomoduar migrantët që synojnë të hyjnë në Itali. Këto zona janë pjesë integrale e territorit shqiptar dhe ato do të vazhdojnë të mbeten të tilla gjatë gjithë kohëzgjatjes së përcaktuar shprehimisht të Protokollit, si dhe pas përfundimit të zbatimit të tij. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se Protokolli për Migracionin nuk përcakton apo ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, pasi, në thelb, ai nuk ndryshon apo cakton kufij të saj, duke ruajtur në këtë mënyrë të paprekura të gjitha elementet e territorit në aspektin fizik”, thekson Gjykata.

Vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen me Italinë për emigrantët 

 

/rtsh.al/