Ashtu siç ishte paralajmëruar nga autoritetet italiane, anija e marinës italiane Libra me tetë emigrantë, gjashtë nga Egjipti dhe dy nga Bangladeshi, mbërriti mëngjesin e sotëm (8 nëntor) në Shëngjin. Tetë emigrantët nën masa të rrepta sigurie, u vendosën në qendrën pritëse ku do të qëndrojnë për disa orë ku do i nënshtrohen procedurave, për t'u transferuar më pas në kampin e Gjadrit.
Ky është grupi i dytë i emigrantëve që vjen në Shëngjin nga autoritetet italiane, ndërsa për 12 emigrantët e parë gjykata e Romës vendosi kthimin e tyre në Itali, pasi vendosi se ato “nuk vinin nga vende të sigurta sipas legjislacionit evropian”.
Vendimi i gjykatës italiane nxiti tensione politike, ku qeveria Meloni theksoi se zbatimi i kësaj marrëveshje do të vijojë. Kjo bëri që qeveria italiane të miratojë një dekret ligjor për të rishikuar listën e "vendeve të sigurta".
Pas shpëtimit të tyre në det, emigrantët i nënshtrohen një kontrolli paraprak, dhe vetëm ata që përmbushin kushtet paraprake, që duhet të jenë vetëm burra, jovulnerabël dhe të vijnë nga vende të konsideruara të sigurta sipas legjislacionit evropian, do të dërgohen në qendrat e pritjes në Shqipëri.
/rtsh.al/