RTSH 24 Live

Rajon

Marrëveshja e Asociacionit Kosovë-Serbi, ambasadori amerikan në Beograd: Obligim që del prej Marrëveshjes së Brukselit

24/01/2023

Marrëveshja e Asociacionit Kosovë-Serbi, ambasadori amerikan në Beograd: Obligim që del prej Marrëveshjes së Brukselit

Ambasada amerikane në Prishtinë ka ftuar përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Takimi pritet të zhvillohet në fund të muajit janar. Ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill ka mirëpritur synimin e Serbisë për të shqyrtuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, referuar edhe qëndrimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç ku tha se vendi i tij do të përballej me izolim nëse nuk e pranon propozimin.

"Ndjeva se ishte një fjalim shumë i rëndësishëm dhe mendoj se ishte një fjalim për ta dëgjuar të gjithë, sepse mendoj që parashtronte një plan dhe koncept se si të mbyllet ky problem shumë i vështirë dhe të vazhdohet me detyrën se çfarë duhet të bëjë Serbia”, tha ambasadori Hill.

Për ambasadorin  Hill, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është obligim që del prej Marrëveshjes së Brukselit.

“Të gjithë negociatorët dhe ndërmjetësuesit, qoftë në Bashkimin Evropian, apo në Shtetet e Bashkuara, e kanë konfirmuar që ky është një obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit. Është element kyç për të ecur përpara. Pastaj vjen ajo që thuhet në planin franko-gjerman, i cili gëzon mbështetjen e BE-së. Ai përfshin ide më të gjera që do të kërkojnë pak më shumë kohë”, ka thënë Hill.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës. Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

/rtsh.al/