Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut këtë të diel (28 janar), duke bërë histori si shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.
Me 65 vota pro dhe 3 kundër, deputetët në Maqedoninë e Veriut votuan Qeverinë teknike e cila do të jetë në funksion 100 ditë. Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së ndonëse ishin në sallë, ata ashtu edhe siç kishin paralajmëruar, nuk votuan qeverinë teknike, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare nuk ishin prezent në sallë.
Në fjalën e tij para deputetëve, Xhaferi foli shqip, teksa tha se respektimi i ligjit dhe Kushtetutës, por edhe vijimi i reformave për integrimin në BE, do të jenë prioritetet e Qeverisë së tij.
“Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizoj zgjedhje të lira dhe demokratike ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdoj t’i realizoj të gjitha reformat për integrim të vendit në BE. Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit mbeten politika thelbësore të Qeverisë. Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit. Edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njëjta, dhe dua të ju sigurojë që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Unë do të vazhdojë programin e qeverisë së kaluar duke realizuar prioritetet e qytetarëve dhe të qeverisë. Për të ecur drejt rrugës së BE-së ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta që i takon një shteti serioz”, u shpreh ai.
Në postin e kryeministrit, Xhaferi zëvendëson Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, që parashikon se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, në vend duhet të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.
Kush është Talat Xhaferi
Talat Xhaferi lindi në 15 prill 1962 fshatin Forinë të komunës së Gostivarit. Në vitin 1981, u regjistrua në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore, drejtimi i këmbësorisë, duke ndjekur studimet në Beograd dhe në Sarajevë.
Nga viti 1996 deri në vitin 1998 ndoqi studimet pas universitare për t’u specializuar në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fitoi titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.
Karrierën e vazhdoi në disa kazerma ushtarake asaj që në atë kohë quhej Armata Popullore e Jugosllavisë, në Nish, Sarajevë, etj. Pas shpalljes së pavarësisë se Maqedonisë, u kthye në vendlindje për të shërbyer si oficer i lartë në Armatën e Maqedonisë.
Pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.
Në 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri u largua nga radhët e Armatës së Maqedonisë dhe u bë komandant I Brigadës 116 të UÇK-së. Në atë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina.
Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, ka qenë deputet, zëvendësministër i Mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i Mbrojtjes në shkurt të 2013.
Në vitin 2016, u zgjodh për herë të pestë deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017 u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriu nga një koalicion i partive shqiptare dhe LSDM-së atëherë në opozitë, çka shkaktoi trazira në parlamentin e vendit.
Xhaferi u bë shqiptari i dytë që u zgjodh në këtë post pas Vullnet Starovës.
Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze. Talat xhaferi u bë sot kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.
/rtsh.al/