RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Sot votohet si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi flet shqip në Kuvend: Vijojmë reformat për integrimin në BE

28/01/2024

Sot votohet si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi flet shqip në Kuvend: Vijojmë reformat për integrimin në BE

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur seancën e kësaj të diele (28 janar), ku pritet të votohet Qeveria teknike e cila do të drejtohet nga ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në fjalën e tij para deputetëve, Xhaferi foli shqip, teksa tha se respektimi i ligjit dhe Kushtetutës, por edhe vijimi i reformave për integrimin në BE, do të jenë prioritetet e Qeverisë së tij.

Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizoj zgjedhje të lira dhe demokratike ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdoj t’i realizoj të gjitha reformat për integrim të vendit në BE. Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit mbeten politika thelbësore të Qeverisë. Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit.

Edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njëjta, dhe dua të ju sigurojë që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Unë do të vazhdojë programin e qeverisë së kaluar duke realizuar prioritetet e qytetarëve dhe të qeverisë. Për të ecur drejt rrugës së BE-së ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta që i takon një shteti serioz”, u shpreh ai.

Ndërkohë, opozita shqiptare ka bojkotuar seancën dhe nuk do ta votojë Xhaferin si kryeministër teknik.

Në postin e kryeministrit, Xhaferi zëvendëson Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, që parashikon se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, në vend duhet të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. 

Talat Xhaferi i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit. Partia shqiptare në koalicionin qeverisës BDI ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zv.ministrave për qeverinë teknike.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit, por paralajmëroi se nuk do të votojë për Qeverinë teknike.

Kjo e diel është një ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë qeveria do ketë një kryeministër shqiptar.

Kush është Telat Xhaferri?

Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.

Karrierën në forcat e armatosura e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ),Me pavarësimin e Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.

Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.

Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.

/rtsh/