RTSH 24 Live

Politikë

Mandati i Xhaçkës, Kuvendi i kërkon Kushtetueses të marrë mendimin e Venecies

08/07/2024

Mandati i Xhaçkës, Kuvendi i kërkon Kushtetueses të marrë mendimin e Venecies

Kuvendi i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të rishqyrtojë verdiktin e vet për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, duke kërkuar mendim edhe nga Komisioni i Venecies.

Përfaqësuesja e Kuvendit, znj. Artemida Hoxhaj, theksoi se nevojitet një opinion amicus curia nga Komisioni. Më 11 prill, pasi shumica parlamentare - me 72 vota kundër dhe 39 vota pro - votoi për të mos e çuar në Gjykatë mandatin e deputetes duke cituar Kushtetuesen, opozita u shpreh se nuk i takonte Kuvendit të vendoste për këtë.

"Gjykata thekson se neni 70/1 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se deputeti gëzon mandat të lirë... Gjykata rithekson se në zbatim të nenit 70, pika 4, të Kushtetutës një e dhjeta e deputetëve të Kuvendit ka të drejtë të paraqesë mocion për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit, ndërsa vendimmarrja e Kuvendit është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t’u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të këtij organi Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla," thuhet në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në arsyetimin e vet, Kuvendi rreshtoi pikat se ku roli i tij bie në kontradiktë me frymën e Kushtetutës në rastet kur i kërkohet të shqyrtojë papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

"Nga pasazhet e paraqitura më sipër krijohet një situatë kontradiktore në mënyrën se si duhet të votojnë deputetët, ku nga njëra anë janë të lirë të zgjedhin vetë të votojnë apo të mos votojnë, pa u lidhur me asnjë kërkesë të ndryshme që mund të vijë nga kushdo dhe nga ana tjetër janë përsëri të detyruar që të votojnë në një mënyrë të caktuar. Qartazi një situatë e tillë krijon tension për demokracinë përfaqësuese.

Për rrjedhojë, kompetenca e parashikuar nga neni 131, pika 1, germa “e” e Kushtetutës, është e pavarur nga parashikimi i nenit 70 të Kushtetutës. Për ushtrimin e kësaj kompetence, sipas nenit 131, Gjykata Kushtetuese, vihet në lëvizje nga një grupim deputetësh, nga jo më pak se një e pesta e tyre. Kuvendi i Shqipërisë, me reformën e vitit 2016, ndër të tjera me ligjin nr.99/2016, ndryshoi dhe përmbajtjen e nenit 66, pika 2 e cila tashmë parashikon se “Për shqyrtimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Kuvendit ose të një të pestës së deputetëve”. Kjo dispozitë rezulton që të jetë edhe në fugi dhe nuk është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Pra kjo dispozitë prezumohet si kushtetuese.

Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, në këtë rast duket se nuk i ka marrë në konsideratë këto parashikime kushtetuese dhe ligjore. Theksojmë se një nga rregullat e interpretimit është edhe ai i “Prezumimit kundër inefektivitetit të normës”, sipas të cilit një normë prezumohet efektive dhe jo e pazbatueshme," thekson përfaqësuesja e Kuvendit në kërkesën e saj.

Kuvendi i qëndron mendimit që ka një pasiguri juridike se përse grupi prej jo më pak se një e pesta e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, përkundër rendit kushtetues në fuqi.

"Për këtë arsye, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecies dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre parashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e një të pestës së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Gjykatën Kushtetuese," thuhet në kërkesën e Kuvendit.

Deputetja Xhaçka i ka quajtur politike, të pavërteta dhe shpifje akuzat e opozitës se ndihmoi bashkëshortin e saj, ish-deputetin socialist Artan Gaçi, të merrte statusin e investitorit strategjik përmes ofiqit që ajo gëzon.

/rtsh.al/