Situata në Vlorë duket të jetë përmirësuar këtë të diel, pasi qyteti bregdetar u përfshi nga përmbytje, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të premten (4 tetor). Ministria e Mbrojtjes bën me dije se tashmë të gjitha rrugët janë të kalueshme si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Ndërkohë, vijon ende puna për heqjen e ujit dhe inerteve nga garazhet nëntokësore të disa pallateve.
Sipas Ministrisë, në ndihmë të bashkisë Vlorë, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme.
Për banorët e prekur, Ministria informo se janë dërguar 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjent.
Reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha në Vlorë, teksa 33 familje u evakuuan.
Njoftimi i plotë i Ministrisë:
Situata në qytetin e Vlorës është përmirësuar ndjeshëm pas problematikave që sollën reshjet intensive të shiut. Të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët. Po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve.
Në ndihmë të bashkisë Vlorë, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme.
Sipas porosisë së lënë në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturë është kontaktuar me strukturat lokale për të evidentuar sa më shpejt sipërfaqen e përmbytur, banesat, bizneset, objektet shtetërore, shkollat, objektet kulturore, qendrat shëndetësore, rrugët, automjetet dhe çdo infrastrukturë tjetër të prekur.
Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë.
Forcat operacionale do të vijojnë punën deri në kthimin e plotë të situatës në normalitet.
/rtsh.al/