RTSH 24 Live

Politikë

Mandati i Xhaçkës- Debate në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi: Hodhët në erë Kushtetuesen

17/09/2024

Mandati i Xhaçkës- Debate në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi: Hodhët në erë Kushtetuesen

Mandati i deputetes socialiste, Olta  Xhaçka vijon të jetë shkak për përplasje mes opozitës dhe maxhorancës. Në mbledhjen e kësaj të marte (17 shtator) të Konfrerencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, iu drejtua kryeparlamentares, Elisa Spiropali, duke e akuzuar se injoroi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me kërkesën e opozitës për një opinion Komisionit të Venecias, Bardhi e konsideroi si tentativë të maxhorancës për të “shpëtuar” mandatine Xhaçkës me procedurë.

"Zonja Kryetare, ju personalisht kishit vendosur të injoronit vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju jeni kryetarja e dytë që keni vendosur të hidhni në erë Gjykatën Kushtetuese, duke minuar në këtë mënyrë edhe bashkëjetesën me opozitën. Ne i jemi referuar Kushtetutës dhe drejtësisë për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Ju na e keni mohuar këtë të drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Venecia është organ këshillimor dhe ju e dini shume mire se ai nuk ka efekt detyrimor. Kjo sjellje e juaj rrëzon gjithë propagandën tuaj se gjasme jeni konstruktiv dhe jeni të hapur. Kjo është propagandë pasi veprimet tuaja po na pamundësojnë detyrën. Nuk ka ndodhur kurrë që Kuvendi të mos zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ju kërkoi që ta miratonit me shpejtësi pasi nuk ka kohë në dispozicion. Praktika juaj gjasme po pyesim Venecian, synon të shpëtojë mandatin me procedurë. Këtu nuk ka të bëjë me Individin pasi për ne ikën një Xhaçkë dhe vjen një tjetër, këtu ka te bëjë me parimet kushtetuese", tha Bardhi.

Sipas tij, votimi i maxhorancës ishte i orientuar dhe se opozita kishte dijeni për qëndrimet që ata do të mbanin që para nisjes së seancës plenare.

"Votimin  e kishit orientuar, mos bëni sikur e latë në dorën e deputetëve. E dinim tri orë  para se si do silleshit, ca abstenim e ca kundër.  Ishte orientuar grisja e vendimeve dhe shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese.  Po e përsëris po minoni bashkëjetesën me opozitën. Opozita i është drejtuar Drejtësisë, ju nuk pyesni për vendimet", theksoi Bardhi.

Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, u përmbush duke çuar mandatin në seancë. Edhe njëherë, ai tha se vendimi i Kushtetueses ka paqartësi dhe se opinioni i Komisionit të Venecias do të shërbejë për të zgjidhur konfliktin.

“Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin. Nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e një deputeti, por është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen. Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo qartësi do të na vlejë neve, dhe gjithashtu do t'ju vlejë edhe juve”, deklaroi Peleshi.

Pas një seance maratonë, Kuvendi nuk i hapi rrugë kërkesës së opozitareve për interpretimin e  papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës. Pas këtij ngërçi, kryeparlamentarja Elisa Spiropali iu drejtua Komisionit të Venecias për mendim të specializuar.

Për rastin reagoi edhe Ambasada e SHBA në Tiranë e cila e konsideroi vendimin e Parlamentit si një shpërfillje për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/