RTSH 24 Live

Rajon

Mali i Zi voton sot për zgjedhjet presidenciale

19/03/2023

Mali i Zi voton sot për zgjedhjet presidenciale

Mali i Zi mban sot (19 mars) votimet për zgjedhjen e presidentit të vendit. Malazezët i janë drejtuar qendrave të votimit në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Milo Gjukanoviç, presidenti pro-perëndimor në detyrë, ka mbajtur poste të larta politike në vend për 33 vjet dhe po kërkon një mandat tjetër pesëvjeçar.

Kundërshtarët e tij kryesorë janë Andrija Mandic, kreu i Frontit Demokratik, i cili favorizon lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë, dhe Jakov Milatoviç, një ekonomist properëndimor dhe nënkryetar i lëvizjes Evropa Tani.

Nëse asnjë kandidat nuk siguron më shumë se 50% të votave, një raund i dytë votimi midis dy më të votuarve është caktuar për 2 prill.

Kundërshtarët akuzojnë Gjukanoviçin dhe partinë e tij DPS për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuzat që Gjukanoviç dhe partia e tij i mohojnë.

Votimi i së dielës vjen në mes të një krize politike njëvjeçare të shënuar nga votat e mosbesimit në dy qeveri të veçanta dhe një grindje midis ligjvënësve dhe Gjukanoviçit lidhur me refuzimin e presidentit për të emëruar një kryeministër të ri.

Pak ditë më parë, Gjukanoviç shpërndau parlamentin dhe caktoi zgjedhje të parakohshme më 11 qershor. Një fitore në zgjedhjet presidenciale do të forconte shanset e partisë fituese në votimin parlamentar.

/rtsh.al/