"Të depenalizohet shit-blerja e votës", ka qenë kjo deklarata e bërë nga gjeneral Sandër Lleshaj gjatë intervistës me gazetarin Ilir Yzeiri në emisionin ADN në RTSH. Lleshaj u shpreh se marrëdhënia e votuesit me të zgjedhurin duhet depenalizuar, pasi sipas tij, edukimi do vijë në mënyrë organike, dhe jo përmes intimidimit dhe sanksioneve.
Shqipëria, tha Lleshaj, është i vetmi vend që tregon para botës se është e paaftë të zhvillojë zgjedhje demokratike.
Një tjetër pikë kyçe në intervistën e dhënë për ADN, nga Lleshaj, ishte organizimi dhe zhvillimi i zgjedhjeve për të cilat Gjenerali u shpreh se duhet të bëhet nga Ministria e Brendshme.
Rezerva, Lleshaj shprehu edhe për procedurat e procesit të votimit për qytetarët.
“Edhe zgjedhjet e fundit, vendosja e damkës, shfaqin në mënyrë të dhimbshme papjekurinë e përgjithshme të shoqërisë tonë, që trupëzohet në partitë politike të cilat kanë përgjegjësi për të udhëhequr shoqërinë në rrugën e demokracisë", thotë Lleshaj.
Sa i përket demokracisë, Gjenerali theksoi se në Shqipëri është ndërtuar një sistem ku presupozohet fitorja në zgjedhje nga të gjitha palët, dhe mundësia e reflektimit qytetar është e pamjaftueshme.
Çfarë po ndodh me demokracinë shqiptare sipas jush?
Demokracia është diçka me të cilin kemi rënë në kontakt vonë, ne si komb, nuk është një gjendje natyrore, por një produkt i kulturës. Ne njerëzit kemi rënë në kontakt me demokracinë, atëherë kur kemi arritur një nivel të caktuar zhvillimi të kulturës. Ne shqiptarët kemi rënë në kontakt shumë vonë, është ende në trajta foshnjore në Shqipëri.
Këtë e pamë dhe në zgjedhjet e fundit që janë një manifestim i pjekurisë sonë politike si shoqëri.
Për fat të keq, këto u ngjajnë zgjedhjeve të mëparshme dhe shfaq papjekurinë e përgjithshme të shoqërisë sonë, që trupëzohet te partitë politike, që kanë përgjegjësinë për të udhëhequr shoqërinë në rrugën e demokracisë.
Tulla bazë ku ngrihet godina bazë e demokracisë është qytetari.
Partitë kanë çeduar për të ngritur qytetarin në nivelin e pjekurisë politike për të marrë vendime të mëdha, siç janë zgjedhjet.
Vetë zgjedhjet si dita ku manifestohet niveli i pjekurisë politike qytetare, dëshmojnë të kundërtën, kemi zgjedhjet më të çuditshme në Europë po e po, në mënyrën si organizohen. Zgjedhje që bazohen te mosbesimi total.
Të kesh mosbesimin si parim do të thotë të mos besosh te demokracia, te qytetarët.
Zgjedhje që, keni parë këtë ritualin e papranueshmë të identifikimit, kosto e jashtëzakonshme, kartë identiteti, shenja biometrike, damkosje në gisht.
Kemi të ndërtuar një sistem ku askush nuk është i gatshëm të pranojë humbjet dhe ku presupozohet ku të fitojnë të gjithë.
Pavarësisht se foltoja e PS duket e madhe, ka një numër të konsiderueshëm njerëzish që i kanë votuar për një individ i cili gjendet në një konflikt të madh me votën demokratike që është burim oksigjeni.
Mundësia e reflektimit qytetar është ende i pamjaftueshëm.
Blerja e zgjedhjeve, e votuesve, krijohet përshtjellim nganjëherë. Çfarë kujdesi duhet pasur nga organet ligjzbatuese që merren me këtë vepër penale?
Unë ju thash që ne e kemi ndërtuar sistemin, bazuar te mosbesimi.
Sistemi ynë na paragjykon. Një qytetar i vërtetë, nuk e pranon këtë damkën këtu. Merr masa ti, por jo duke më prekur fizikisht. Ky është një cenim. Kaq mjafton që për ta parë se ku jemi.
Gjithë ajo skizofrenia e kontrollit, kosto e dhjetëfishuar, pastaj skanimi, 100 mijë faktorë që nuk i gjen në asnjë vend normal. 3 veta që janë atje numërojnë votat dhe këta të 3 nuk janë përfaqësues partish. E keqja e madhe dhe në substancë, është që ne i kemi besuar arbitrin, lojtarit. Nuk munden që lojtarët të bëjnë dhe arbitrin. Sepse e djallosin. Sa më shumë e sofistikojmë sistemin, më absurd e bëjmë. Do dalë njëri pastaj dhe do thonë u blenë.
Më duket krejtësisht pa lidhje penalizimi i marrëdhënieve mes votuesit dhe të zgjedhurit.
Po të keni vënë re në TV tona, para zgjedhjeve kishte fushatë intimidimi publik me dënimet. KQZ del dhe thotë: mos bëj këtë se dënohesh kaq. Pra, pranojmë botërisht se s’kemi lidhje me demokracinë, që dominohemi nga hajdutët, të pabesët dhe mundohemi që gjithçka ta rregullojmë me sanksione dhe arrijmë në një nivel talibanizmi, që shndërrojnë etikën në ligj penal. Morali nuk duhet konvertuar në ligj në shoqëritë moderne. Patjetër që ka njëfarë risku për humbje. Por jo të shtosh çdo vit nga dy nene në kodin penal.
Duhet depenalizuar e gjithë kjo, marrëdhënie e votuesit me të zgjedhurit. Duhet një nivel moral, ta blejmë e ta shesim, sepse nuk zgjidhet ndryshe. Nëse jemi një popull që e shesim votën, le ta shesim, të bëjmë një treg.
Dalëngadalë do arrijë përmes edukimit te ajo. Shqiptarët janë të pjekur, të ndershëm dhe nëse ka fito ta marrin përsipër, por jo të dëshmojmë para botës që jemi të paaftë që bëjmë zgjedhjet më të çuditshme në kontinent.
Si vë kartë leximi elektronik, shenjë gishti, damkën në trup, pastaj merr kutitë nga malet çoje në qytet, mbarojnë zgjedhjet, numërimi në kohë të turpshme, i bëjmë zgjedhjet si askush në botë dhe nuk pranojmë që zgjedhjet administrohen nga administrata publike e shtetit, dhe zgjedhjet duhet t’i organizojë dhe zhvillojë Ministria e Brendshme.
/rtsh.al/