RTSH 24 Live

Letërsi

Livio Muci: Shqipëria duhet të tregojë se po bëhet një kulturë e re.  

23/05/2023

Livio Muci: Shqipëria duhet të tregojë se po bëhet një kulturë e re.  

“Për mua autorët shqiptarë sjellin një letërsi të thellë përkundrejt një letërsie të sipërfaqshme perëndimore. Por Shqipëria duhet të dalë nga sindroma e komunizmit. Shqipëria duhet të tregojë se po bëhet një kulturë e re”.  Kështu shprehet botuesi, Livio Muçi, që drejton shtëpinë botuese Besa Muci, mjaft e njohur për botimet në italisht të shkrimtarëve shqiptarë, në një intervistë për RTSH.

Ka përkthyer shumë shkrimtarë shqiptarë, si Fatos Kongolin, Ylljet Aliçkën,Besnik Mustafaj, Virgjil Mucin, Mira Meksin, Adrian Kycykun, Ardian Ndrecën, Sonila Strakoshën, por edhe më të hershmit Jakov Xoxën me “Lumin e vdekur”, Petro Markon, romani i të cilit “Qyteti i fundit” del në tregun italian në tetor etj.

Kush ka talent të shkruajë e do të njihet në tregun italian e ka një derë të hapur te ish- Besa Editrice, tani e quajtur Besa Muci.

Por çfarë e ka bërë botuesin Livio Muci të dojë kaq shumë autorët shqiptarë?

Livio Muci – Shtëpia Besa Muci nuk ka filluar dje të merret me letërsinë shqipe, por që në vitin 1991. Kur unë e kuptova që ky realitet do të shpërthente dhe në Shqipëri bashkë me Brikena Çabej krijuam shtëpinë botuese Çabej. Nisëm të botonim autorë ekzistues si; Kadare, Agolli, Kongoli, botova librin “Vendi i shqiponjave” me nëntitullin “Nuk janë refugjatë”. Sepse doja t’iu shpejgoja italianëve se shqiptarët kanë edhe kulturë dhe të rëndësishme, e sot ata kanë zbuluar qindra autorë shqiptarë, tani të gjithë e dinë. Sigurisht që leximi s’është në vend të parë as në Itali, por ata që lexojnë kanë një sistem e duhet të kenë një sistem sistematik ekspozimesh të kulturës shqiptare dhe rezultatet janë.

Çfarë kanë tërheqëse  autorët shqiptarë për lexuesit italianë?

Livio Muci - Për mua autorët shqiptarë, të cilët i kam njohur vetë, i kam miq e nuk është se më tregon kush për ta, sjellin një letërsi të thellë përkundrejt një letërsie të sipërfaqshme  perëndimore, që është shumë e përhapur.

Për shembull, Tom Kuka ka rizgjuar mitet shqiptare, Virgjil Muçi përrallat shqiptare që i bëjnë mirë shpirtit të popullit italian, kulturës italiane, shqiptarëve të Italisë.

Dua të shkoj te rrënjët e kulturës shqiptare, pavarësisht diktaturës, duke përkthyer jo vetëm klasikët, por edhe më të rinjtë, duke salduar këto dy breza. Shqipëria duhet të dalë nga sindroma e komunizmit, mirë që u botua për komunizmin, por tani mjaft, duhet të ndryshojë faqe. Shqipëria duhet të tregojë se po bëhet një kulturë e re.  

 Gazetare : Magdalena Alla

/ RTSH /