RTSH 24 Live

Kosovë

Lista Serbe: Ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe”

03/02/2024

Lista Serbe: Ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe”

Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, ka thënë të shtunën se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.  

Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të ardhura  nga Serbia janë në rrezik. Sipas tij rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb. 

Kryetari i Listës Serbe thotë se largimi i dinarit nga sistemi i pagesave nënkupton vënien e serbëve në një “pozitë të padurueshme” dhe se është një “prelud i eksodit total të popullit serb” në territorin e Kosovës. Ai tregoi se në bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare, Lista Serbe nënvizoi se "qëllimi përfundimtar i Qeverisë në Prishtinë është spastrimi etnik i serbëve", dhe se në një takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, ata shprehën frikën e tyre që rrjedh nga vendimi për shfuqizimin e dinarit. 

Lista Serbe njoftoi se do t'u dërgojë një letër ambasadorëve të vendeve të QUINT pasi jane vende  qe janë "drejtpërdrejt përgjegjëse për multietnicitetin" në Kosovë dhe "do të jenë bashkëpunëtore të drejtpërdrejta, nëse do të ketë një eksod të popullit serb nga Kosova". 

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.

Gazetare Amela Koçerri

/ rtsh.al /