RTSH 24 Live

Kosovë

Liderët e Kosovës nderojnë Biden: Tërheqja e tij shënon fundin e një epoke

22/07/2024

Liderët e Kosovës nderojnë Biden: Tërheqja e tij shënon fundin e një epoke

Tërheqja e Joe Biden nga kandidimi për President për një mandat të dytë ka sjell reagimin e lidervë të Kosovës. Për tërheqjen e Biden-it reagoi Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha se që nga ditët e tij si senator, pastaj si nënpresident dhe tani si president, Biden ka mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

“Mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë”, shkroi Osmani në platformën X.

Për tërheqjen e Biden reagoi dhe  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se tërheqja e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, nga gara për rizgjedhje, shënon “fundin e një epoke”.

“Bota - e veçanërisht Kosova - është një vend më i mirë dhe më i sigurt, për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, shkroi Kurti në platformën X. 

Ai  tha se Biden, ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe mbështetësit më të palodhur të saj.

Biden njoftoi më 21 korrik se do të tërhiqet nga gara presidenciale.

Presioni ndaj tij u rrit kohët e fundit, ku një numër i madh personalitetesh edhe brenda demokratëve kërkuan dorëheqjen e tij. Kjo erdhi si pasojë e performancës së dobët në debatin presidencial përballë kandidatit Republikan Donald Trump. 

Biden i dha mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, për të garuar kundër Trumpit. Zgjedhjet për President në Amerikë do të mbahen me 5 nëntor.

RTSH