Presidenti amerikan Donald Trump në urimin për 17-vjetorin e Pavarësisë tha se Kosova duhet të thellojë integrimin e saj në komunitetin euroatlantik. Ai shtoi se SHBA po punon me Kosovën dhe fqinjët e saj për ndërtimin e një rajoni më të begatë dhe më të sigurt. “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për ta ndërtuar një shoqëri demokratike. Lidhjet mes popujve tanë janë të forta dhe presim me kënaqësi t’i zgjerojmë ato. Ne presim të ndërtojmë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin në vazhdim” – thuhet në mesazhin e Trump.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari Kosovën. “Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës”, tha Rubio.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron u shpreh se përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. “Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”- thuhet në mesazhin e Macron.
Kosovën e uroi edhe presidenti i Gjermanisë Frank-Valter Shtajnamjer. “Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”- thuhet mes tjerash në urimin e tij.
Në mesazhin e presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, thuhet se vendi i tij mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës, ndërsa ai mbështet përparimin e vendit drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon.
“Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë”, - thuhet në mesazhin e urimit të Mbretit britanik Karli i III-të.
/rtsh.al/