RTSH 24 Live

Sociale

Lezhë - Vaksina kundër gripit po bëhet edhe në shtëpi për qytetarët me probleme shëndetësore

6 orë para

Lezhë - Vaksina kundër gripit po bëhet edhe në shtëpi për qytetarët me probleme shëndetësore

Vaksinimi kundër gripit ka nisur prej disa javësh por të shumtë janë qytetaret të cilët për shkak të problemeve të ndryshme shëndetësore e kanë të pamundur për t’ju drejtuar qendrave shëndetësore. Përballë kësaj situatë në Lezhë vaksinimi po bëhet edhe në shtëpi.

Infermieri i Qendrës Shëndetësore të qytetit, Bardhok Lalaj, është shprehur se prej fillimit të muajit tetor po troket në çdo dere ku ka persona të sëmurë, të cilët nuk mund të lëvizin nga shtëpia.

“Pjesa më e madhe janë të moshuar që jetojnë vetëm dhe kanë probleme shëndetësore që pamundëson apo vështirëson lëvizjen e tyre”, u shpreh infermieri Lalaj.

Ofrimi i shërbimit të vaksinimit në shtëpi është pritur mjaft mirë kryesisht nga të moshuarit të cilët e kanë të pamundur për të lëvizur.

Prej fillimit të muajit tetor në Lezhë kanë mbërritur rreth 6 mijë vaksina anti-grip, ndërsa procesi po ecën shumë mirë, thotë Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Zoje Zefaj.

“Kanë ardhur rreth 6 000 vaksina dhe mund të vijnë të vaksinohen të gjithë që dëshirojnë sipas grup moshës”, u shpreh Zefaj.

Vaksinimi kundër grupit në Lezhë po vijon në të gjitha qendrat shëndetësore, ndërsa personat më të interesuar janë të moshuarit dhe të sëmuret kronik.

/RTSH/