RTSH 24 Live

Politikë

Ali Ahmeti letër Ramës dhe zyrtarëve të lartë në Kosovë, BE dhe SHBA: Po rrezikohet Marrëveshja e Ohrit!

27/10/2024

Ali Ahmeti letër Ramës dhe zyrtarëve të lartë në Kosovë, BE dhe SHBA: Po rrezikohet Marrëveshja e Ohrit!

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u ka dërguar letër liderëve të rajonit dhe zyrtarëve më të lartë evropianë dhe amerikanë, duke shprehur, siç thuhet në letër, shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat, sipas BDI-së, “rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë e stabilitetin në vend.”

“Sot, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka dërguar letra drejtuar Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, Presidentes dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kancelarit gjerman Olaf Scholz, Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Antony Blinken. Në këtë letër, Ahmeti shpreh shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në shtetin shumë-etnik”, thuhet në njoftimin për shtyp të BDI-së.

Sipas Ahmetit 3 vendimet e fundit- plani për shfuqizimin e Ligjit të Gjuhëve, ndalesa për identifikim të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i shumicës qeveritare- paraqesin kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit në tërësi.

“Këto 3 goditje të mëdha ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë shumë-etnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij. Këto ndërhyrje kërcënojnë të zhdukin elementet kyçe të paqes dhe të barazisë, duke na kthyer në kushtet e para vitit 2001, që ishin shkaktarët e krizës dhe luftës së atij viti. Ju bëj thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve”, theksohet në letër.

Letra e plotë e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, drejtuar kryeministrit Rama dhe zyrtarëve të lartë në Kosovë, Evropë dhe SHBA

I nderuar Z. Edi Rama,

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë,

Ju shkruaj sot me shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat rrezikojnë arritjet historike të Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet themelore të barazisë dhe paqes në shtetin tonë shumëetnik, e veçanërisht për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Planet e trishta, edhe atë çuditërisht të paralajmëruara nga Qeveria e vendit, se Gjykata Kushtetuese pritet të shfuqizojë dispozitat kryesore të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që bën gjuhën shqipe një gjuhë zyrtare të barabartë sipas Amandamentit 5 të Kushtetutës, përbëjnë një goditje të rëndë mbi Marrëveshjen e Ohrit, barazinë, harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin në vend.

Për më tepër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar identifikimin e përkatësisë etnike të qytetarëve në institucionet shtetërore shkel parimin e të drejtave kolektive të komuniteteve etnike, dhe për rrjedhojë anulon edhe instrumentet kryesore të balancuesit dhe të mekanizmit të Badenterit, të cilët ishin në thelb të Marrëveshjes së Ohrit. Ky mekanizëm është krijuar për të garantuar të drejtat kolektive të komuniteteve etnike sipas realitetit demografik, duke siguruar një mbrojtje themelore ndaj çdo mbizotërimi. Gjykata kushtetuese duke eliminuar deklarimin e përkatësisë etnike shkel vetë Kushtetutën, ku si vlerë themelore të saj ka përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, dhe se na kthen në gjendjen para arritjes së Marreveshjes Paqësore të Ohrit.

Së fundmi, pas zgjedhjeve të fundit, parimi themelor i Marrëveshjes së Ohrit, që kërkon formimin e një shumice politike bazuar në përfaqësimin e drejtë të komuniteteve etnike, është shkelur rëndë. Ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me BDI-në, por prek parimin e përfaqësimit të drejtë, i garantuar nga Amandamenti 6 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, dhe qëndron si një mekanizëm mbrojtës për të parandaluar mbizotërimin e shumicës ndaj joshumicës.

Këto tre goditje të mëdha ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë një kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij. Këto ndërhyrje kërcënojnë të zhdukë elementet kyçe të paqes dhe të barazisë, duke na kthyer në kushtet e para vitit 2001, që ishin shkaktarët e krizës dhe luftës së atij viti.

Në këtë moment kritik, ju bëj thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve. Angazhimi juaj për të sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet relevante për këtë krizë kushtetuese dhe politike është i domosdoshëm.

Ju falënderoj për përkushtimin tuaj të palodhshëm ndaj çështjeve shqiptare dhe stabilitetit të rajonit.

Me nderime të larta dhe respekt,
Ali Ahmeti
Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim

/rtsh.al/