RTSH 24 Live

Botë

Laburistët fitojnë zgjedhjet e përgjithshme në Britani, Keir Starmer do jetë kryeministri i ardhshëm

05/07/2024

Laburistët fitojnë zgjedhjet e përgjithshme në Britani, Keir Starmer do jetë kryeministri i ardhshëm

Laburistët kanë fituar zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Udhëheqësi i laburistëve Keir Starmer, i cili do të bëhet kryeministri i parë laburist në 14 vjet, ka deklaruar se qeveria e tij gjithmonë do të vendosë "vendin në radhë të parë dhe partinë në vendin e dytë".

Ai u shpreh se ky mandat vjen me përgjegjësi të madhe dhe shtoi se qeveria e tij do të fokusohet në "rinovimin kombëtar".

“Ne duhet ta kthejmë politikën në shërbimin publik,” tha ai.

Me më shumë se gjysmën e 650 vendeve të numëruara, laburistët duket se do të sigurojnë mazhorancën e tyre më të madhe ndonjëherë në Dhomën e Komunave.

Starmer pritet të bëjë një vizitë te mbreti Charles III më gjatë kësaj të premteje (5 korrik) për të marrë lejen e monarkut për të formuar një qeveri të re.

Kryeministri në largim Rishi Sunak ka pranuar humbjen duke u shprehur se “Laburistët fituan këto zgjedhje të përgjithshme dhe unë thirra Sir Keir Starmer për ta uruar për fitoren e tij”.

Zgjedhjet për liderët konservatorë dhe kabinetin gjithashtu rezultuan të ishin një fatkeqësi pasi tetë ministra kanë humbur tashmë vendet e tyre. Mes tyre është edhe Penny Mordo e cila u bë e njohur në mbarë botën nga ceremonia e kurorëzimit të Charles ku mbante shpatën e rëndë.

Nigel Farage, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Reforma në Mbretërinë e Bashkuar, fitoi një vend në Parlamentin Britanik për herë të parë, duke siguruar vendin e Clacton në Essex, Angli.

Retorika e tij kundër imigracionit dhe fushata për Brexit e kanë bërë Farage një nga politikanët më të njohur dhe më të diskutueshëm në MB. Pas shtatë përpjekjeve të dështuara për të fituar një vend në Dhomën e Komunave, ai ia doli këtë vit, duke mposhtur kandidatin konservator, Giles Watling, i cili e ka mbajtur vendin deri më tani.

Ka një boshllëk të madh në hapësirën e qendrës së djathtë në politikën britanike dhe është detyra ime ta mbush atë. Dhe pikërisht këtë do të bëj”, tha Farage pas shpalljes së rezultateve në zonën e tij elektorale. "Unë synoj të ndërtoj një lëvizje masive në mbarë vendin gjatë viteve të ardhshme, me shpresë mjaft të madhe për të synuar lart për zgjedhjet e 2029," shtoi ai.

/rtsh.al/