RTSH 24 Live

Botë

Mori pjesë në Samitin e vendeve turkfolëse, BE distancohet nga Orban, përfaqësoi vetëm Hungarinë, jo Brukselin

07/07/2024

Mori pjesë në Samitin e vendeve turkfolëse, BE distancohet nga Orban, përfaqësoi vetëm Hungarinë, jo Brukselin

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është qortuar përsëri nga shefi i Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme, Josep Borrell, pasi mori pjesë të shtunën në një takim të Organizatës së Vendeve Turkfolëse (OTS) në Azerbajxhan. Pjesëmarrja e Orbanit në samitin joformal të OTS-së në Baku ishte një ngjarje tjetër ku ai e përfaqësoi Hungarinë dhe jo Bashkimin Evropian, tha Borrell.

“Hungaria nuk ka marrë mandat nga Këshilli i BE-së për t’i shtyrë përpara marrëdhëniet me Organizatën e Shteteve Turkfolëse”, tha Borrell përmes një postimi në rrjetin social X.

BE kundërshton përpjekjet e OTS-së për të legjitimuar Republikën Turke të Qipros Veriore duke e pranuar si anëtare vëzhguese, tha Borrell. Ishulli i Qipros është i ndarë prej dekadash mes Republikës së Qipros grekfolëse, e njohur ndërkombëtarisht, e cila është edhe anëtare e BE-së, dhe Republikës Turke të Qipros Veriore turkfolëse, e njohur vetëm nga Ankaraja.

OTS-ja është organizatë ndërkombëtare që sjell së bashku vendet ku flitet turqishtja. Ajo u themelua më 2009 nga Turqia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Kirgistani, ndërsa Hungaria u bë anëtare vëzhguese e saj në vitin 2018.

/RTSH/