RTSH 24 Live

Botë

Opozita në Izrael kundër kryeministrit, Lapid i kërkon Netanjahut të pranojë marrëveshje armëpushimi të përhershëm

07/07/2024

Opozita në Izrael kundër kryeministrit, Lapid i kërkon Netanjahut të pranojë marrëveshje armëpushimi të përhershëm

Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, ka kërkuar nga qeveria këtë të diel që të ndalojë luftën në Rripin e Gazas dhe të negociojë një marrëveshje me fraksionet palestineze për të siguruar kthimin e pengjeve. “Ne duhet të ndalojmë luftën, të arrijmë një marrëveshje dhe t’i sjellim pengjet në shtëpi. Izraeli ka kundërshtuar gjithmonë luftërat e zgjatura dhe ushtria jonë, e cila mbështetet në forcat rezervë, nuk është e pajisur për këtë lloj lufte”, tha Lapid për Radion e Ushtrisë.

Kërkesa e Lapid vjen ndërsa sipas raporteve zyrtare izraelite negociatat indirekte kanë rifilluar midis Tel Avivit dhe Hamasit për të arritur një marrëveshje. Ndërkohë me qindra protestues izraelitë kanë bllokuar autostrada nëpër vend, duke i bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të japë dorëheqjen. Për javë të tëra, dhjetëra mijëra izraelitë kanë protestuar në Tel Aviv dhe qytete të tjera, duke kërkuarnjë marrëveshje shkëmbimi pengjesh dhe zgjedhje të parakohshme. 

Lufta izraelite në Gaza i ka marrë jetën më shumë se 38.000 palestinezëve, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra. Lufta gjithashtu ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme dhe ka nxitur një krizë të madhe humanitare.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.

/RTSH/