RTSH 24 Live

Politikë

Kuvendi nuk pranoi mocionin e Berishës për masakrën e Srebrenicës, Rama: S’ishte rezolutë, por lojë e ulët e një ‘non grata’

12/05/2022

Kuvendi nuk pranoi mocionin e Berishës për masakrën e Srebrenicës, Rama: S’ishte rezolutë, por lojë e ulët e një ‘non grata’

Pas 27 vitesh nga masakra e Srebrenicës, Sali Berisha ka kërkua në Kuvend një mocion për të dënuar këtë sulm, por që u hodh poshtë dhe nuk u pranua nga PS për ta futur në kalendarin e punimeve. Për këtë kërkesë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili teksa ngre pyetje se pse kjo kërkohet pikërisht sot, shton se kjo nuk ishte një rezolutë por një lojë e ulët.

Për Ramën kjo lojë luhet nga Berisha i shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion dhe minues të demokracisë, ndërsa shton se ai ka thyer embargon e OKB duke furnizuar me naftë trupat e Millosheviçit, kasapit të Beogradit.

“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç'ne kjo rezolutë sot,pse,me ç'rast?Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s'ishte rezolutë po lojë e ulët!

Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t'u ringjallur nga varri i tij politik!

Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë.Edhe një fakt për t'u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij, shkruan Rama në twitter

Me herët edhe PS tha se do rrëzojë çdo kërkesë që bëhet nga Sali Berisha, nga një person i shpallur “non grata” nga SHBA.

Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebernicës dhe madje ka mbështetur edhe rezolutat në OKB dhe OSBE në 1995. Gjenocidi i Srebrenicës është një krim lufte i kryer në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem.

/rtsh.al/