RTSH 24 Live

Politikë

PS: S’do të pranojmë asnjë kërkesë në Kuvend që mban firmën e Sali Berishës, të shpallur “non grata”

12/05/2022

PS: S’do të pranojmë asnjë kërkesë në Kuvend që mban firmën e Sali Berishës, të shpallur “non grata”

PS është e vendosur që të mos pranojë asnjë kërkesë që vjen nga Sali Berisha, qoftë në rrugë parlamentare apo politike, me argumentin se socialistët tashmë e kanë marrrë vendimin që të mos kenë asnjë bashkëpunim me personat e shpallur “non grata”.

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, duke komentuar mocionin e depozituar në Kuvend nga Berisha dhe një grup deputetësh mbështetës të tij, për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, deklaroi se PS do rrëzojë çdo kërkesë të bërë nga një person i shpallur “non grata” nga SHBA, siç është edhe Berisha.

“Me keqardhje për këdo që është i painformuar ose i keqinformuar në disa media në vendet fqinje. Dua të rishpreh dhe të nënvizoj se votimi i sotëm në Kuvendin e Shqipërisë mbi një kërkesë të disa deputetëve, nuk ka asnjë lidhje me qëndrimin tonë të qartë dhe të shprehur për masakrën dhe Gjenocidin në Srebrenicë. Qëndrimi ynë lidhet me vendimin tonë për të refuzuar dhe rrëzuar çdo propozim që vjen nga Sali Berisha, deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë, i shpallur “non-grata” nga SHBA-ja. Ai është i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike, ndërhyrje në proceset publike, përfshirje në përdorimin e pushtetit për përfitime personale, për të pasuruar aleatët e tij politikë, si dhe anëtarët e familjes së tij, në kurriz të besimit të publikut shqiptar. Sa herë të depozitohen kërkesa e propozime që mbajnë firmën e tij do të rrëzohen. Ky do të jetë gjithmonë, një qëndrim i qartë. Kuvendi sot ka rrëzuar një kërkesë i nga një deputet i shpallur “non grata”, që s’ka të bëjë me përmbajtjen, por me emrin e tij”, deklaroi Balla.

/rtsh.al/