RTSH 24 Live

Politikë

SPAK nuk gjeti padi të Bardhit ndaj Olsi Ramës, kryeministri: S’paska kallëzim, iu shit gazetarëve italianë si “sapun për djathë”

25/04/2024

SPAK nuk gjeti padi të Bardhit ndaj Olsi Ramës, kryeministri: S’paska kallëzim, iu shit gazetarëve italianë si “sapun për djathë”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të SPAK për mosfillimin e procedimit të kallëzimit të Olsi Ramës ndaj Gazment Bardhit për shpifje dhe kallëzim të rremë pasi Struktura e Posaçme nuk gjeti asnjë padi kundrejt vëllait të kryeministrit nga ana e kreut të grupi parlamentar demokrat.  

Duke iu referuar vendimit të SPAK kryeministri Rama shkruan se kallëzimi i pretenduar nga Gazment Bardhi ndaj vëllait të tij Olsi Rama ka rezultuar i paqenë.

Sipas Ramës, ky “kallëzim” inekzistent iu është "shitur" gazetarëve italianë si akt gjyqësor.  

Kam bërë kallëzim” po kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallëzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallëzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore!”, shkruan Rama.

Kryeministri ka hedhur akuza ndaj Gazment Bardhit që sipas tij, ka gënjyer se ka bërë kallëzim në SPAK ndaj Olsi Ramës.

 “Hajde hajde ç’vete! Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallëzimit të pa kallëzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë!”, shkruan më tej Rama.

Kreu i qeverisë shkruan më tej se me emisionin e fundit në televizionin “Rai3”, opozita kërkon që Shqipëria të shihet si delet e zeza të Evropës.

S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës!

Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë”, përfundon në reagimin e tij, kryeministri Rama.

/rtsh.al/