RTSH 24 Live

Politikë

Kuvend/ Mes kaosit dhe tensioneve, mazhoranca miraton me votat e saj 8 projektligje! Opozita bllokoi foltoren

02/02/2023

Kuvend/ Mes kaosit dhe tensioneve, mazhoranca miraton me votat e saj 8 projektligje! Opozita bllokoi foltoren

Në një seancë të pazakontë, Kuvendi ka miratuar sot mes tensioneve dhe kaosit, vetëm me votat e mazhorancës, 8 projektligje. Debatet nisën pasi opozita nuk pranoi të zhvillonte interpelancën e kërkuar me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me çështjen McGonigal, me të deleguarën e tij, Elisa Spiropali.

Pas debateve dhe ndërprerjes së seancës dy herë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla vijoi me rendin e ditës. Pavarësisht tëheqjes së vëmendjes nga Nikolla, deputetët e opozitës vijuan me bllokimin e foltores duke i rënë me grushte tavolinave dhe duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës.

Mes zhurmave të opozitës dhe përplasjes së tavolinave, mazhoranca vijoi me rendin e ditës, duke miratuar projektligjet e prezantuar nga ministrat përkatës. Pas votimeve në parim, e më pas nen për nen, mazhoranca miratoi 8 projektligje, mes të cilave marrëveshjen me Poloninë në fushën e mbrojtjes, pr.ligjin për marrëveshjen me BE-në për pjesmarrjen e vendit tonë në mekanizmin e mbrojtjes civile të bashkimit; pr.ligjin për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror.

1.Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Polonisë, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”
2. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, njëra palë, dhe Bashkimit Evropian, pala tjetër, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile të bashkimit”
3. Projektligj “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror”
4. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar
5. Projektligj “Për informacionin e klasifikuar”
6. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar
7. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.114, datë 22.10.2015, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”
8. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për rikthimin e ikonave të trafikuara në vendin e tyre të origjinës”.
 
 
/rtsh.al/