RTSH 24 Live

Politikë

Rama i delegon interpelancën Spiropalit, tensione në Kuvend, Bardhi: S’pranoj, kam thirrur kryeministrin

02/02/2023

Rama i delegon interpelancën Spiropalit, tensione në Kuvend, Bardhi: S’pranoj, kam thirrur kryeministrin

Me debate dhe tensione është shoqëruar seanca plenare e kësaj të enjte, teksa opozita nuk pranoi të deleguarën e kryeministrit Edi Rama, Ministren Elisa Spiropali për tju përgjigjur në interpelancën e thirrur në lidhje me çështjen McGonigal. Deputeti demokrat, Gazment Bardhi u shpreh se ata kishin thirrur në interpelancë Ramën si kryeministër dhe se pyetjeve të tyre nuk mund t’i përgjigjet Spiroapli.

Si kryeministër i Republikës së Shqipërisë nuk mund të fshihet pas Elisës. Duhet të vijë këtu dhe të japë llogari sesi ka korruptuar një zyrtar të lartë të FBI për ta përdorur si vegël në duart e tij kundër opozitës. Duke qenë se sipas rregullores interpelanca është pika e parë e seancës, pezullo seancën dhe thirre kryeministin të vijë këtu e të japë llogari. Ju duhet të silleni si kryetare e Kuvendit dhe thirr kryeministrin në seancë, boll u fsheh. Nuk pranoj të bëj interpelancë me hijen e kryeministrit, nuk di të ketë qenë Spiropali në takim me McGonigal. Elisa nuk ka lidhje me këtë çështje”, tha Bardhi.

Spiropali iu përgjigj duke i konsideruar qesharake akuzat e opozitës dhe konkluzionet e nxjerra nga një hetim i kryer në SHBA.

Nuk e kuptoj se pse keni kaq shumë frikë. A doni sqarime për çështjen? Nguti juaj i dëshpëruar për të nxjerrë konkluzione nga një hetim në SHBA është qesharak. Keni 2 javë që grricni nervat e miletit dhe nuk na lejoni sot të japim sqarime për këtë çështje”, u shpreh Ministrja.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vendosi të ndërpresë 10 minuta seancën plenare. Por edhe pas rifillimit të seancës, Bardhi mbrojti të njëjtat argumenta duke mos pranuar që interpelancën ta zhvillojë me Spiropalin, ndërsa kërkoi praninë e kryeministrit Rama. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren në shenjë proteste, ndërsa për pasojë Nikolla ndërpreu për herë të dytë seancën, duke kërkuar 5 minuta pushim.

Respektoni rregulloren, lironi foltoren. Po shkelni me këmbë rregulloren dhe pastaj kërkoi zbatimin e saj. 5 minuta pushim”, tha Nikolla.

/rtsh.al/