RTSH 24 Live

Aktualitet

Ndoqi dhe përplasi automjetin e koleges në Vlorë, shpallet në kërkim efektivi i policisë

10/05/2024

Ndoqi dhe përplasi automjetin e koleges në Vlorë, shpallet në kërkim efektivi i policisë

Një efektiv i policisë në Himarë ka ndjekur me automjet kolegen e tij dhe më pas ka përplasur makinën e saj. Më pas ai është larguar me shpejtësi, ndërsa ka braktisur automjetin në Vlorë. Gjithashtu, në makinën e efektivit të policisë janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të ftohta, thikë dhe biçak për të cilat u bë vendimi për kryerjen e ekspertimit teknik.

Ai akuzohet për përndjekje, dhunë në familje dhe mosbindje ndaj urdhrit të policisë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka shpallur në kërkim punonjësin e Policisë të Komisariatit të Policisë Himarë F.XH., i dyshuar për kryerjen veprave penale “Përndjekje”, “Dhuna në familje”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, efektivi me inicialet F.XH dyshohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një punonjëse të policisë në Komisariatin e Vlorës konkretisht “përgjatë segmentit rrugor Bulevardi kryesor dhe në “Transballkanike” me automjet punonjësen e policisë duke përplasur automjetin e saj dhe më pas është larguar me shpejtësi, ndërsa mjetin e ka braktisur në Vlorë”

Nga këqyrja e automjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë të ftohta (thikë e biçak), për të cilat u bë vendimi për kryerjen e ekspertimit teknik. Në vijim të veprimeve procedurale, Agjencia ka administruar edhe kallëzimin e punonjëses së policisë.

AMP-ja në bashkëpunim me DVP Vlorë po punon për kapjen dhe ndalimin e punonjësit të policisë F.XH”, theksohet më tej në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/