RTSH 24 Live

Politikë

Kushtetuesja rrëzon Berishën, kërkoi përjashtimin e gjyqtares Xhaferllari nga gjykimi

06/11/2024

Kushtetuesja rrëzon Berishën, kërkoi përjashtimin e gjyqtares Xhaferllari nga gjykimi

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të mërkurën kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për përjashtimin e gjyqtares Marsida Xhaferllari, që do të shqyrtojë ankesën e tij në Kushtetuese.

Berisha e depozitoi ankesën duke e kundërshtuar si antikushtetuese masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Në kërkesën e depozituar nga avokatët e Berishës pretendohet se Xhaferllari është bashkëjetuesja e deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj dhe shqyrtimi i çështjes nga ajo “përbën konflikt interesi”. Vendimi për rrëzimin e kërkesës së Berishës është marrë me shumicë votash dhe u bë i ditur nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Kërkesa

Në dokumentin e dorëzuar nga Berisha, i cili është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion, thuhet se gjyqtarja Marsida Xhaferllari s’mund të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes ndaj tij duke qenë partnere e Enkelejd Alibeajt.

Alibeaj mori pjesë në Këshillin e Mandateve dhe votoi pro heqjes së mandatit të kryedemokratit Berisha në kohën kur u kërkua nga SPAK-u.

Avokatët e Berishës argumentuan se Alibeaj ishte ai që ankimoi vendimin për vulën, duke kundërshtuar Berishën si kreun e PD-së.

Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë më 19 nëntor seancën për kërkesën e Sali Berishës për shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së dhe Apelit të GJKKO-së, që kanë caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë,” thuhet në kërkesën e Sali Berishës.

/rtsh.al/