RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti: Vendimi për dinarin serb nuk kthehet pas, nuk duam të ndëshkojmë askënd

12/02/2024

Kurti:  Vendimi për dinarin serb nuk kthehet pas, nuk duam të ndëshkojmë askënd

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk mund të kthehet pas vendimi për dinarin serb. Ai u shpreh se qeveria nuk ndërhyn në zbatimin e rregullores së vendosur nga Banka Qendrore e Kosovës, e cila prej 1 shkurtit ndaloi përdorimin e dinarit serb.

Kurti garantoi se rregullorja nuk është vendosur për të ndëshkuar askënd, ndërsa shtoi se serbëve etnikë do u jepet kohë për t’u përshtatur.

 “Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se SHBA-BE e njohin rregulloren e BQK-së si të ligjshme dhe se sipas tij, përmes përdorimit të dinarit serb në Kosovë, bëhen financime të terroristëve.

 “Ne duam t’i integrojmë në shoqërinë tonë. Ata kanë dokumentacione identifikuese kosovare, pasaporta kosovare. Problemi nuk janë serbët e Kosovës, problemi është regjimi autokratik në Beograd, që është bashkëpunëtor rus. Është regjim që varet nga Kremlini”, deklaroi Kurti.

/rtsh.al/